Hepatiti viral është inflamacion i mëlçisë shkaktuar nga infeksionet virale. Viruset më të zakonshme të hepatitit janë: A, B, C, D, dhe E. Termi “hepatit viral” përfshin sëmundje infektive me simptoma klinike të ngjashme, por të shkaktuara nga viruse të ndryshme.
Llojet e Hepatitit Viral
Hepatiti A (HAV): Përhapet përmes rrugës fekalo-orale, përmes ushqimeve të kontaminuara, ujit të ndotur ose kontaktit me persona të infektuar. Periudha e inkubacionit është 2-6 javë. Ka një vdekshmëri të ulët dhe rrallë jep infeksion të rëndë.
Hepatiti B (HBV): Përhapet përmes kontaktit seksual, nga nëna shtatzënë tek foshnja, kontaktit me gjak, shiringa jo sterile dhe tatuazhe. Periudha e inkubacionit është 2-6 muaj. 5-10% e të rriturve që kalojnë hepatitin B bëhen bartës kronikë të virusit, ndërsa mbi 90% e bebeve të lindura nga nënat me hepatit B bëhen bartës kronikë, duke pasur rrezik të lartë për cirrozë dhe kancer të mëlçisë.
Hepatiti C (HCV): Përhapet njëlloj si hepatiti B. Periudha e inkubacionit është 6-10 javë.
Hepatiti D (HDV): Shkakton infeksion vetëm në praninë e virusit B (koinfeksion). Përhapet njëlloj si hepatiti B. Periudha e inkubacionit është 3-7 javë.
Hepatiti E (HEV): Përhapet përmes rrugës fekalo-orale dhe ujit të pijshëm të ndotur. Sëmundja e shkaktuar nga virusi E është e lehtë dhe nuk shkakton infeksion kronik.
Shenjat e Hepatitit
Simptomat e zakonshme të hepatitit përfshijnë:
Ethe
Lodhje
Humbje oreksi
Urinë e errët
Jashtëqitje pa ngjyrë
Zverdhje e lëkurës
Kush është në rrezik?
Çdo njeri është në rrezik të infektohet nga hepatitet. Grupet me rrezik të lartë përfshijnë:
Punëtorët shëndetësorë
Përdoruesit e drogave intravenoze
Personat që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura
Parandalimi përmes Vaksinimit
Hepatiti B mund të parandalohet përmes vaksinimit. Vaksinimi rekomandohet për:
Të gjithë fëmijët e porsalindur brenda 24 orëve
Punëtorët shëndetësorë
Personat e varur nga drogat intravenoze
Të sëmurët që bëjnë transfuzione gjaku
Partnerët seksual dhe familjarët që jetojnë me persona të infektuar
Vaksina e Hepatitit B jepet në 3 doza: për fëmijët në moshën 2, 4, dhe 6 muaj. Për adoleshentët dhe të rriturit, doza e parë dhe e dytë bëhen me interval prej 1 muaji, ndërsa doza e tretë jepet 1 ose 5 muaj pas dozës së parë.
Testimi dhe Trajtimi
Testimi për Hepatit B dhe C është i rëndësishëm pasi shpesh bartësit nuk e dinë që janë të infektuar. Testimi i hershëm rrit mundësinë e trajtimit efektiv të sëmundjes.
#spitaliipergjithshempeje #HepatitiViral #KujdesiShendetesor #Vaksinimi #Parandalimi #Testimi
????????????