Gjatë emisionit të mbrëmshëm “Takim virtual me Shëndritin”, ku ishte i ftuar hematologu Fitim Gashi, u diskutua edhe për ushqyerjen e fëmijëve anemikë, saktësisht llojet e qumështit që duhet dhënë atyre.
Sipas doktorit, qumështi i gjirit të nënës është më i preferueshëm për këta fëmijë, sidomos kur nëna merr preparate të hekurit, për rrjedhojë edhe mund t’i transmetojë te fëmija përmes gjirit. Gashi gjithashtu thotë se qumështi i lopës nuk është i preferueshëm në këto situata, pasi pamundësohet marrja e hekurit nga fëmija.
“Për shkak se qumështi i lopës e pengon thithjen e hekurit, nuk preferohet te fëmijët anemikë sepse pamundësohet kalimi i hekurit te fëmija. Nëse nëna merr preparate të hekurit, atëherë, përmes gjirit, një pjesë e hekurit kalon te fëmija. Formulat e ndryshme të cilat janë të gatshme, që bëhen nga kompani të ndryshme, kanë një sasi të hekurit që i ndihmon fëmijës që ta përthithë atë dhe t’i ndihmojë atij në këtë aspekt. Por, cka është e rëndësishme, nëse fëmija pas gjashtë muajve mund të konsumojë ushqime që hanë të rriturit, ai është ushqimi më i mirë dhe adekuat për fëmijët”, tha Gashi.