Për shkak të situatës ekonomike shumë prindër detyrohen të blejnë gjëra të përdorura për bebet e tyre.
Kjo gjë nuk është aspak negative pasi ju mundëson juve të kurseni dhe tu ofroni vogëlushëve tuaj më shumë sende të nevojshme, më një kosto më të ulët.
Por ka disa gjëra me të cilat nuk mund të bëhet kompromis pasi mund ta vënë në rrezik serioz bebushin tuaj.
Më poshtë është një listë me gjërat që nuk duhet t’i blini të përdorura për fëmijët tuaj.
A duhet të blejmë ulëse të përdorur?
Siguria e bebit tuaj duhet të jetë gjithnjë prioriteti kryesor. Ulëset mund të jenë vërtet të shtrenjta dhe kjo gjë shpesh i tundon prindërit të blejnë ato të përdorurat, por nëse nuk po e merrni nga një mikeshë e besueshme për ju, atëherë nuk është e rekomandueshme. Ulëset të cilat janë përfshirë në një aksident më parë nuk janë më të sigurta, dhe është thuajse e pamundur për të dalluar nëse një e tillë është e sigurt apo jo.
Pompe gjiri të përdorur?
Shumë nëna ua japin pompat e gjirit mikeshave të tyre por kjo gjë nuk rekomandohet aspak. Arsyeja është sepse pompat personale të gjirit janë ndryshe nga ato të spitalit të cilat janë krijuar për tu përdorur nga përdorues të ndryshëm. Kjo për faktin se ndërtimi i tyre është bërë në një mënyrë të atillë që pastrimi i plotë i tyre të jetë thuajse i pamundur. Ndaj ekspertët nuk e rekomandojnë blerjen e pompave të përdorura.
Po dyshek të përdorur për bebe, a mund të blejmë?
Ekspertët nuk e rekomandojnë blerjen e dyshekëve të përdorur për bebe pasi një studim i publikuar në “British Madical Journal” zbuloi se rreziku i SIDS është shumë më i lartë tek bebet që përdorin një dyshek të dorës së dytë.
Biberonët, cucllat dhe lodrat e dhëmbëve
Të gjitha këto produkte janë relativisht me kosto jo shumë të larta. Blerja e këtyre produkteve të “dorës së dytë” dhe për më tepër jo në pikat e përshtatshme për shitjen e tyre nuk rekomandohet. E njëjta gjë edhe për ato që nuk janë në paketimin e tyre origjinal. Gjithashtu është mirë që çdo fëmijë këto produkte t’i ketë personale por nëse produktet e njërit, mund t’ja përdorni edhe fëmijës tjetër, të paktën duhet t’i sterilizoni dhe t’i ndryshoni kokën. /Familja Jonë