Përmes djersitjes trupi humb lëngjet trupore, sidomos gjatë muajve të nxehtë, prandaj është e rëndësishme që organizmi të qëndrojë i hidratuar dhe të mos ekspozohet shumë në diell.
Djersa nuk duhet asnjëherë që të përthithet sërish nga trupi. Shumë faktorë mund të shkaktojnë djersiten, përfshirë, i nxehti, ankthi, stresi, temperatura dhe përdorimi i saunave. Djersitja mund të shkaktojë dehidratim, ankth dhe ndonjëherë shërben si lajmëtar se trupi është duke luftuar me sëmundje. Megjithatë nga djersitja ka edhe përfitime shëndetësore.
Times Of India ka renditur disa arsye pse djersitja mund t’i shërbejë shëndetit.
Funksioni kryesor i djersitjes është të ndihmojë trupin që të ftohet. Djersa sekretohet përmes gjëndrave të djersës që gjenden në lëkurë, ku ndodh procesi i uljes së temperaturës trupore. Trupi duhet të qëndrojë i hidratuar në mënyrë që t’i rifitojë lëngjet e humbura përmes djersitjes.
Nga djersitja përfiton edhe lëkura dhe bëhet më e shndritshme. Ushtrimet përmirësojnë qarkullimin e gjakut, gjë që e bën lëkurën të shndrisë sepse ky proces lejon qelizat e lëkurës të përthithin më mirë oksigjenin dhe vlerat ushqyese.
Djersitja përmirëson shëndetin kardiovaskular. Ushtrimet gjithashtu përmirësojnë shëndetin e zemrës duke rregulluar shëndetin e organizmit në përgjithësi.
Djersitja detoksifikon trupin sepse është një nga mënyrat më efektive për pastrimin e trupit nga toksinat. Djersitja ndihmon në largimin e kripërave, kolesterolit e alkoolit nga trupi. Pra djersitja shërben si mënyra më e mirë e detoksifikimit të trupit përmes zhbllokimit të poreve të lëkurës, bllokimi i të cilave shkakton akne dhe probleme të tjera me lëkurën.
Djersitja ndihmon kundër formimit të gurëve në veshka. Ushtrimet stimulojnë djersitjen, gjë që ndihmon largimin e mineraleve të panevojshme të grumbulluara në trup, si kripërat. Përveç kësaj djersitja, ndërkohë që trupi është duke ushtruar, mban në vendin e duhur kalciumin në eshtra. Kjo gjë parandalon kripërat dhe kalciumin që të grumbullohen në veshka, gjë që shkakton formimin e gurëve. Djersitja bën që personat të konsumojnë më shumë ujë, gjë që nuk e lejon grumbullimin e mineraleve në veshkë.
Djersa gjithashtu mund të ndihmojë edhe kundër formimit të infeksioneve e sëmundjeve të ndryshme si tuberkulozi. Peptidet antimikrobiale që gjenden në djersë kanë veti antibakteriale dhe antiviriale.