Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, që ta vendos projektligjin e Pagave në projektligjin e Buxhetit për vitin 2022.
Kërkesa e FSSHK-së vjen pas paralajmërimit të Qeverisë se në mbledhjen e sotme e cila mbahet në ora 17:00 do të miratohet projektbuxheti për vitin e ardhshëm.
Kërkesa kryesore e FSSHK është përfshirja e Projektligjit të Pagave në Projektbuxhetin e vitit 2022.
Më poshtë e gjeni reagimin e FSShK-së drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, përmes email-it zyrtar:
I nderuari Z. Kryeministër Kurti,
Duke qenë se sot në rend të ditës në mbledhje të Qeverisë keni miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2022 kërkojmë nga ana Juaj që në këtë Projektligj të parashihet edhe buxheti i paraparë në Ligjin e Pagave i cili Projektligj bazuar në Planin Legjislativ për vitin 2021 është dashur të kalojë në Qeveri sot me datë 29.10.2021.
Mos përfshirja në buxhet e këtij Projektligji do të rëndon edhe më shumë situatën e krijuar tek punëtorët shëndetësor të cilët tashmë po ndihen të fyer e ofenduar me trajtimin të cilin po ia bën kjo Qeveri.
I nderuari Z. Kryeministër, punëtorët shëndëtësor të lodhur e të stërngarkuar me punë sidomos gjatë kësaj periudhe me Pandeminë COVID-19 kanë dëshmuar përgjegjshëmri dhe profesionalizëm në ofrimin e shërbimeve shëndetësore duke mos e kursyer as jetën e tyre.
Po ju rikutojmë se mosha mesatare e profesionistëve shëndetësor është rreth 53.7 vjeq, kërkesa për migrim jashtë vendit për punë të dinjitetshme çdo ditë po shtohet me të po pakësohet edhe numri i mjekëve dhe infermierëve pranë institucioneve publike, prandaj reagimi sindikal në këtë rast është i pashmangshëm.
I nderuari Z. Kryeministër, ne nuk bëjmë pazare politike por veprojmë me masa sindikale andaj merrni e seriozitet Projektligjin e Pagave dhe përfshirjen e tij në Projektbuxhetin e vitit 2022 sepse veprimet radikale sindikale dhe pasojat mbi to do të rëndojnë në supet tuaja.
Me respekt,
Kryetari i FSSHK-së