Altina Marmullaku
Fitore Zenelaj është njëra ndër personat e cila e fitoi luftën me sëmundjën e kancerit. Ajo ishte vetëm 29-vjeçare kur zbuloi shenjat e para.
Në një prononcim për portalin Familja Jonë, Fitorja tregon historinë se si e ka kuptuar sëmundjen dhe për vështirësitë që ka pasur në rrugëtimin e saj gjatë luftës me këtë sëmundje.
Familja Jonë: Me cilin lloj të kancerit jeni diagnostifikuar dhe si filluat të dyshonit?
Fitore Zenelaj: Jam diagnostifikuar me Carcenome Duktale Invazive. Dyshimet e mia filluan qysh në fazat e para të sëmundjes, por që fatkeqesisht u neglizhova nga dy mjek, të cilet me rekomanduan vizitë pas 6 muajve dhe kështu kur shkova në kontrolla kisha arritur në fazen 2-3.
Familja Jonë: A mundeni për afërsisht të na tregoni historinë, si e keni kuptuar sëmundjen dhe a keni pasur operime?
Fitore Zenelaj: Sëmundjen e kuptova kur vërejta gjëndrën në gji, e cila vazhdonte të rritej masivisht, pasi kanceri ishte shumë agresiv. Kam pasur vetëm një operim, në të cilin kam hequr komplet gjirin.
Familja Jonë: Sa ka qenë e vështirë periudha në të cilën keni kaluar dhe a keni pasur shumë dhimbje?
Fitore Zenelaj: Në fakt nuk ka qenë e vështirë per mua, pasi kisha shumë vullnet për jetë dhe nuk u dorëzova për asnjë moment. Kimioterapitë sigurisht qe shkaktojnë dhimbje dhe mundime, mirëpo ne jemi më të forta se sëmundja dhe me dashurinë për jeten, përkrahjen e familjes dhe mjekëve gjithçka. kalon, asgjë nuk është e përjetshme.
Familja Jonë: Cila ka qenë frika më e madhe gjatë luftës me këtë sëmundje?
Fitore Zenelaj: Gjatë luftes sime me sëmundjen, frika ime më e madhe ishte se mos më mbesin vajzat pa nënë, sepse ishin vetem 9,7 dhe 5 vjeçe. Prandaj kjo frikë më bëri edhe më të fortë!
Familja Jonë: Ku e keni gjetur forcën tuaj që të vazhdoni përpara?
Fitore Zenelaj: E ceka dhe më lartë, “Kur je nënë, nuk je kurrë vetëm në mendimet e tua. Një nënë gjithmonë duhet të mendoj dy herë. Një për veten dhe një për fëmijën e saj!” Kjo nënkupton se kisha forcë të dyfishtë!
Familja Jonë: Sa mendoni se e ka ndryshuar Fitoren si person përballja me këtë sëmundje?
Fitore Zenelaj: Shumë më ka ndryshuar, së pari lidhja dhe besimi në Zot forcohet, sepse e kupton që Zoti është fuqiplotë dhe ai është me ty dhe për ty! Une sot kujdesëm më shumë për vetën dhe familjen e ngusht. Dikur kohën time ua kushtoja të tjerëve, persona më të largët që gjatë sëmundjës dolën në pah, kush kujdeset për ty e kush jo!
Familja Jonë: Cili është mesazhi juaj që do të dëshironit të e përcjellni tek secili person?
Fitore Zenelaj: Një sëmundje e rëndë mund të shërohet, përveç të tjerash, edhe me forcën e të qeshurit; një e qeshur e mirë, nga ato që të shkrijnë, lëviz edhe i bën të dridhen të gjitha organet trupore, njësoj si lëvizjet fizike! Para së gjithash kujdesuni për vetën që të mos vie deri tek sëmundja. E kjo bëhet me anë të kontrollave rutinore, të cilat sigurojnë shëndetin tonë. Po ashtu çdo ndryshim që vëreni në trupin tuaj, kërkojeni prejardhjen e tij, sepse ka shenja edhe kanceri, por ne i neglizhojmë. Ky është mesazhi qe ia rekomandoj secilit. /FamiljaJonë/