Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për raportimin e përgjegjshëm mbi diabetin, organizuar sot, Familja Jonë u nderua me një nga katër çmimet për emisionin dyorësh të dedikuar sëmundjes së diabetit. Si i vetmi emision televiziv që mori këtë vlerësim, Familja Jonë u veçua për qasjen e tij gjithëpërfshirëse, ku të ftuar të ndryshëm diskutuan mbi sfidat dhe rëndësinë e menaxhimit të diabetit.
Eventi, i organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), mblodhi gazetarë dhe profesionistë nga sektori i shëndetësisë për të nderuar punën e mediave në ngritjen e vetëdijes mbi diabetin.
Emisioni Familja Jonë trajtoi një gamë të gjerë temash, duke filluar nga rëndësia e diagnostikimit të hershëm deri te menaxhimi i diabetit dhe mbështetja emocionale për pacientët. Ky raportim gjithëpërfshirës jo vetëm që solli në pah sfidat e jetesës me diabet, por edhe theksoi rëndësinë e kujdesit dhe ndërgjegjësimit shëndetësor në shoqëri.
Familja Jonë vazhdon të demonstrojë përkushtim ndaj çështjeve të rëndësishme shëndetësore, duke mbetur një burim i besueshëm për informimin dhe edukimin e publikut./ familjajonë