Endokrinologia dhe profesoresha Venera Berisha-Muharremi ka njoftuar se ka marrë pjesë si Udhëheqëse e Seancës dhe Ligjëruese në Kongresin Botëror të Fotobiomodulimit, PBM 2024, që u mbajt në Londër, Angli.
Ajo ishte ndër Ligjëruesit Lider Botërorë të Fotobiomodulimit apo Trajtimit Mjekësor Laserik. Kongresi, i cili ishte më i madhi i mbajtur deri tani me rastin e 30-vjetorit të Asociacionit Botëror të Trajtimit Laserik, i ofroi profesoreshës Berisha-Muharremi mundësinë të ligjërojë për efektin e Fotobiomodulimit te gjëndra tiroide dhe të prezantojë rezultatet e arritura në Kosovë.
Ajo e përshkruan përvojën si një moment të jashtëzakonshëm, duke theksuar se puna, mundi, investimet dhe sakrificat e shumta në shkollim dhe edukim gjithsesi shpërblehen me sukses. Motoja e Fotobiomodulimit, “Ku ka dritë, ka jetë!”, ishte theksuar gjithashtu gjatë këtij eventi të rëndësishëm.