Gjersa ne që në mëngjes ankohemi për gjëra koti, ata luten që së paku agu i mëngjesit të i kotë pak në gjumë. Ankohemi pse kemi mbetur pa dalë në shëtitje edhe sot, pse kemi ngelur në provim, jemi vonë për ligjërata,e ata i gëzohen faktit që mbrëmja i zuri mes njerëzish. Mërzitemi se pse nuk po dukemi ashtu siç duam, derisa ata rrinë e shohim ndryshimet e shumta që ndodhin brenda tyre.
Ah, sa të vështirë e kanë çdo ditë! Nëse dikush do t’u shkojë për vizitë, e shohin si diçka të shenjtë dhe gjatë tërë kohës tentojnë që tema kryesore e bisedës mes jush të jetë kush tjetër pos ajo dreq sëmundje që i ka atakuar ata!
Mos t’u vijë rëndë, dëgjojini, deshët apo jo! Kështu e largojnë gjysmën e hallit që e kanë brenda vetes. Sëmundja më nuk do të jetë problem vetëm i tyre, por edhe i të gjithë të tjerëve që jetojnë me ta.
Ata do të fillojnë të mësojnë përmendësh protokolet mjekësore, kohën kur duhet të merret terapia,bile edhe në cilën pjesë të ditës do të kenë më shumë dhimbje. Familja e tyre mëson intensitetin, kohëzgjatjen, e karakterin e dhimbjes. E që, për dreq, ato bëhen më të vështira e më të forta në mbrëmje!
Sa e vështire për ta ta shohin familjarin e sëmurë në atë gjendje e të mos mund të i bëjnë zgjidhje! Rutinat e tyre do t’ia zëvendësojnë spitalet, e repartet ku deri në zgjidhjen e problemit duhet të trokasin.
Kafenë e mëngjesit, që dikur e pinin të qeshur për një ditë të re, tani e pinë diku në qoshe të spitalit ose nuk pinë fare.
Kujt do t’i bije ndërmend për qejfet e dikurshme?! Familje e tyre tani do të bëhen edhe stafi mjekësor,do të fillojnë të jetojnë me ta. Ata do të jenë tani vetë jeta e shpëtimi!
Mjeku do të shndërrohet në heroin e tyre, e infermierët në engjujt e tokës. E sidomos ata që vijën venoze u vendosin që me herën e parë,sepse lodhen e dërmohen nga ato shpimet e shumta,sa rrinë e u shtohen hematomat nëpër duar!
Ah, sa shumë e duan jetën! Ata që kanë optimizëm, dashuri e vullnet për gjithçka, për sherr, po i atakon më së shumti kjo dreq sëmundje. A thua pse, vallë?! T’ua lërë në gjysmë projektet dhe synimet që kanë,t’ua prish idetë e t’ua shkatërrojë imagjinatën?!
Ata e duan jetën. Që në mëngjes zgjohen duke buzëqeshur, kanë energjinë e botës,nuk i lodh e as mposht asgjë,asgjë! Biles e marrin shtruar, e as që besojnë në diçka të tillë! Shpëtim e jetë e shohin mjekun që po e trajton, aq u mjafton sepsenuk besojnë që do të lejojë ai të deshtojë nga duart e tij, as që bëhet fjalë.
Fjalët e mjekut i kanë ligj, kurajë e shpresë. Janë ato përshëndetjet mes tyre, ku thyhet edhe ajo barriera mjek-pacient. “Po jo ore, ai tani është shoku e miku më i mirë që mund të i rrëfehem!“
Presin me padurim të nesërmen, ditën e kontrollit. Kanë për të mësuar gjendjen e tyre,të shohin sesi ka ecur gjithçka deri aty! E për t’i shëruar plotësisht i shërojnë fjalët e gjithësecilit që do t’i takojnë,nuk kanë nevojë për ngushllim,por duan t’i përkrahim,mbështesim e t’i inkurajojmë,t’u themi se nuk janë vetëm në këtë sfidë. Me ju jemi edhe ne si: profesionistë shëndetësorë, familjarë e miq.
Forca tutje, së bashku do t’ia dalim! Nuk do të thotë se mori fund gjithçka, por t’ia mësojmë rrugën e t’i themi ik tutje se unë kam shumë para vetes,s’kam kohë të merrem me të,nuk lejoj të privohem nga jeta. -Ju jetojeni çdo moment,me optimizëm ka për të shkuar gjithçka për së mbari!
05.II.2020 Vjosanë Kurteshi #WorldCancerday