Spitali i përgjithshëm i Pejës ka shprehur mirënjohje të veçantë për Dr. Shkendije Berisha, Nefrologe dhe shefe e shërbimit të dializës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Ata kanë bërë të ditur se dedikimi dhe përkushtimi i saj ndaj pacientëve janë të jashtëzakonshme dhe frymëzuese për të gjithë.
Përmes një postimi në facebook, ata kanë shkruar:
“Dr. Shkendije Berisha më shumë se dy dekada kujdeset për pacientët tanë me sëmundje të veshkave, duke ofruar trajtime dhe mbështetje të pandërprerë. Ajo është e njohur për qasjen e saj të ndjeshme dhe profesionale, duke siguruar që çdo pacient të ndihet i respektuar dhe i përkrahur gjatë trajtimeve të dializës.
Dr. Shkendije Berisha shkollën fillore e kreu në Pejë, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Para luftës ka qenë e angazhuar si Mjeke në sistemin paralel të organizuara nga Republika e Kosovës. Që nga vitit 1999 jep kontribut në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ndërsa nga vitit 2004 ka kryer Specializimin për Nefrologji dhe aktualisht është edhe Shefe e Njësisë së Dializës në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.
Përveç aftësive të saj të jashtëzakonshme mjekësore, Dr. Shkendije Berisha është një udhëheqëse e shkëlqyer dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë stafin e Njësisë së Dializës por edhe të gjithë spitalit tonë.
Dr. Shkendije Berisha është një shembull i vërtetë i përkushtimit dhe profesionalizmit në kujdesin shëndetësor. Ne jemi me fat që e kemi pjesë të Personelit të Spitalit tonë.”