Albina Selmanaj
Në një botë ku dallimet fetare mund të shkaktojnë ndarje dhe ndërlikime, shfaqjet e tolerancës dhe bashkëpunimit janë të rëndësishme si kurrë më parë. Dr. Flamur Marku, është një doktor i cili i përket fesë katolike dhe është një shembull i qartë i kësaj fryme të bashkëpunimit dhe respektit ndaj besimeve të ndryshme.
Marku është një nga doktorët që punon në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës, ai sot dhe për disa vite radhazi ka zgjedhur të bëjë diçka shumë të veçantë në këtë ditë feste.
Në prag të festës së Bajramit, Marku si shenjë kujdesi dhe mirëkuptimi ndaj kolegëve të tij musliman po kujdestaron në QKUK në mënyrë që doktorët që i takojnë asaj feje ta kenë mundësinë për të festuar Bajramin bashkë me familjet e tyre.
“Secila festë e ka madhështinë dhe kënaqësia është më e madhe kur festohet pranë familjes dhe më të dashurve, kjo është arsyja se pse unë gjithmonë jam i gatshëm të zëvendësoj kolegët e mijë në Festën e Bajramit”, tha Marku për Familjajonë.
Por, ky solidaritet nuk mungon as nga ana e kolegëve në rastet kur edhe atij i duhet të jetë pranë familjarëve të tij në raste festash.
“Por dhe çdoherë edhe nëse me bjen mua orari të jem kujdestar gjatë Krishtlindjeve apo Pashkeve janë koleget qe pa asnjë hezitim me zëvendësojnë mua“, tregoi ai.
Veprimet e Dr. Flamur Markut dhe kolegëve të tij sjellin një mesazh të fuqishëm për respektin dhe solidaritetin ndërfetar, duke treguar se si mund të ndërtojmë ura të forta të bashkëpunimit në mes të komuniteteve fetare të ndryshme.