Albina Selmanaj
Këtë vit, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Sindromës Down, Qendra e kujdesit ditor – Pema ka organizuar ekspozitën ‘Kush jam unë’, me fotografi të fëmijëve dhe të rinjve me sindromë Down.
Kjo ekspozitë është mbajtur sot në qytetin e Pejës për të vazhduar pastaj edhe në tri komuna të tjera si Prizreni, Ferizaji dhe Gjilani gjatë ditëve të ardhshme.
Në një intervistë për Familjajonë, Edita Nuhiu Bajrami, zyrtare për komunikim dhe avokim në qendrën Pema ka treguar më shumë për qëllimin e kësaj ekspozite e cila sipas saj do të shërbejë si thirrje për të ju dhënë më shumë mundësi këtyre fëmijëve në një vend si Kosova.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është të sfidojë perceptimet për sindromën Down, dhe të shërbejë si thirrje për t’ju dhënë mundësinë këtyre fëmijëve dhe të rinjve të edukohen, trajnohen, si dhe të kenë mundësi që në të ardhmen të sigurojnë një vend pune në atë se çfarë ata duan të ndjekin dhe të ushtrojnë si profesion”, tregoi ajo.
Ekspozita lëvizese “Kush jam unë”, paraqet fotografitë në të cilat përshkruhet jeta e personave me Sindromën Down, jetë e cila vazhdon të ketë sfida sidomos në sigurimin e një vendi pune.
“ Fotografitë paraqesin fëmijët dhe të rinjtë me sindromë Down, në një sërë mjedisesh, duke përfshirë vendin e punës, vendin ku realizojnë aktivitetet që ata pëlqejnë, etj. Mirëpo, vlen të theksohet se pavarësisht shërbimeve dhe aktiviteteve të cilat ne si PEMA kemi ofruar për vite me radhë, shumicës nga këta të rinj, pasi mbushin moshën 18 vjeçare, nuk ju ofrohet mundësia të sigurojnë një vend pune ose të ndjekin ëndrrat e tyre”, tha Bajrami.
Tutje, Bajrami theksoi se këta të rinj janë mjaftë të talentuar dhe mund të marrin përsipër një punë dhe për këtë arsye fokusi duhet të jetë në aftësitë që ata kanë dhe jo në aftësitë e kufizuara.
“Ka shumë të rinj të talentuar me aftësi të kufizuara, të cilët mund të marrin përsipër një punë, qoftë me kohë të pjesshme apo me kohë të plotë. Prandaj, në vend se të fokusohemi në aftësinë e kufizuar, duhet të fokusohemi në aftësitë që ata kanë. Derisa shohim ekspozitën, shpresoj se të gjithë do të arrijmë të vlerësojmë diversitetin njerëzor dhe të njohim vlerat e gjithë përfshirjes. Le të njohim ëndrrat dhe kontributin e personave me aftësi të kufizuara dhe të punojmë për një vend ku të gjithë mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë”, u shpreh ajo.
Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit të menaxhuar nga Zyra e BE-Së në Kosovë dhe implementohet nga PEMA.
Qendra e kujdesit ditor – Pema është një organizatë e cila ofron shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara, përfshirë këtu fëmijët me sindromë Down, vazhdimisht punon dhe avokon për respektimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, përfshirjen e tyre në sfera të ndryshme të jetës, si dhe aftësimin e tyre në fusha të ndryshme përmes punëtorive dhe aktiviteteve të tjera.