19 maji në mbarë botën njihet si Dita Botërore e Mjekëve Familjarë, mantëlbardhëve të cilët janë adresa e parë për cdo shqetësim shëndetësor.
Buqetat me falënderime janë një motivim shtesë për ta, pasi ky element konsiderohet një tregues i suksesit të tyre. Në këtë 19 maj, janë pikërisht fjalët e falënderuese ndaj tyre ato që do duhej të zinin vend para ankesave të përditshme.
Falënderimi ndaj tyre fiton peshë edhe për faktin e luftës që i gjithë personeli shëndetësor pati me pandeminë COVID-19. Fluksi i madh i pacientëve të prekur nga virusi bëri që shumë nga mjekët familjarë të angazhoheshin në trajtimin e tyre, punë kjo aspak e zakonshme dhe jo e përditshme për ta.
I kontaktuar nga Familja Jonë, mjeku familjar në QKMF në Drenas, Arben Beka, tregon për peripecitë që ai dhe kolegët e tij patën gjatë këtij viti.
“Ky vit për mua si mjek familjar, njëjtë si edhe për kolegët tjerë, ishte një vit i veshtirë i përmbushur me shumë sfida. Që nga fillimi i pandemisë, sfidat sa vinin e shtoheshin, por që me një organizim të mirë hierarkik e institucional kemi arritur ti përballojmë ato.
Sfidat me të mëdha gjatë këtij viti ishin pandemia COVID 19, reduktimi ekstrem i stafit mjekësor, furnizimi jo i kënaqshëm me barna dhe prioritete tjera sanitare, etj. Me paraqitjen e virusit SARS CoV 2, filluam mobilizimin institucional nga DSHMS dhe menaxhmenti i QKMF së në Drenas për menaxhimin e kësaj sfide. Këtij mobilizimi iu përgjigjen pozitivisht të gjithë mjekët, stafi i mesëm dhe stafi mbështetës, duke u organizuar në mënyrë të kënaqshme çdo ditë e më shumë. Sfidë tjetër ishte reduktimi i stafit mjekësor duke na detyruar ti rrisim kapacitetet tona në zgjatjen e orareve dhe shtimin e orëve të punës. Pastaj sfidë tjetër ishe furnizimi me barna, paisje mbrojtëse mjekësore, por që me një racionalizim ditor e kemi sanuar edhe këtë problematikë”, theksoi ai.
Bekaj tutje shprehet se mjeku familjar vazhdon të jetë adresa kryesore e cdo pacienti, ndërsa flet edhe për angazhimin që mjekët familjarë në luftë kundër koronavirusit, duke u shprehur se ata janë angazhuar maksimalisht në menaxhimin sa më të mirë të pacientëve me këtë sëmundje.
“Pa asnjë dyshim, mjeku familjar është adresa e parë e të gjithë pacientëve me probleme shëndetësore. Shumicën e këtyre pacientëve i trajtojmë në qendrën tonë, ndersa ata me probleme më akute i referojmë në shërbimin tercial në QKUK.
Me paraqitjen e pandemisë COVID – 19 e kemi ofruar një sallë të veçantë për dhënien e terapisë ndaras nga pjesa tjetër e QKMF së, duke i respektuar në përpikmeri udhezimet e dala nga IKSHPK dhe MSH. Mjekët familjar janë angazhuar maksimalisht për mjekimin dhe menaxhimin sa më të mirë të pacientëve me COVID 19, duke respektuar kështu betimin e Hipokratit dhe të gjitha parimet njerëzore”, përfundoi ai.