Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Dieta që i ngjan agjërimit ndryshon dinamikën e trurit

Së fundmi shkencëtarët kanë zbuluar se dieta, me të vilën të ngrënit e ushqimit lejohet vetëm brenda një orari të caktuar, qon në ndryshime të rëndësishme te dinamika e trurit dhe zorrëve të njeriut, gjë që ofron më shumë mundësi për të mbajtur peshë më të shëndetshme trupore.

Shkencëtarët nga Kina, kanë studiuar 25 vullnetarë të klasifikuar me mbipeshë për një periudhe prej 62 ditësh, gjatë së cilës iu nënshtruan një diete, ku ngrënia lejohej vetëm brenda një orari të caktuar kohor, regjim ky që përfshinë kontroll të detajuar të kalorive të konsumuara, ka shkruar ScienceAlert.

Pjesëmarrësit gjatë kësaj kohe përveç që humbën peshë, tek ta studiuesit kanë vënë re aktivitet te një pjesë e trurit që ka lidhshmëri me mbipeshën dhe në krijimin a baktereve në zorrë.

“Këtu ne kemi treguar se kjo lloj diete ndryshon dinamikat e trurit në raport me mikrobiomin e zorrëve”, ka thënë studiuesi Qiang Zeng.

Ai ka shtuar se pas kontrollimit të aktivitetit të trurit dhe mikrobiomit të zorrëve, pasi pjesëmarrësit i ishin nënshtruar mënyrës së të ngrënit me orar të caktuar, e kishin parë se dinamikat ndryshonin shumë te regjioni i trurit që ka të bëjë me varësinë për ushqim.

Ndërkohë Zeng ka bërë të ditur se nuk është e qartë se çfarë i bën këto ndryshime, apo nëse zorrët kanë ndikim te truri apo anasjelltas.

Sidoqoftë, ai ka cekur se ai dhe ekipi i tij tashmë e dinë se truri dhe zorrët janë shumë të lidhura mes vete, prandaj trajtimi i disa regjioneve të trurit mund të jetë një mënyrë për ta kontrolluar konsumin e ushqimit.

Hulumtimi i ri ka zbuluar lidhje të rëndësishme mes mikrobiomës së zorrëve dhe aktivitetit të trurit, që mund të kenë një ndikim të madh në kuptimin dhe trajtimin e mbipeshës. Përmes skanimeve të rezonancës magnetike funksionale (fMRI), shkencëtarët vërejtën ndryshime në aktivitetin e trurit, veçanërisht në zona që janë të lidhura me rregullimin e oreksit dhe varësisë për ushqim, e njohur si gyrus orbital inferior frontal. Kjo është zonë që kontrollon vendimet, vetëkontrollin dhe vullnetin, përfshirë kontrollin mbi konsumimin e ushqimit.

Po ashtu, u analizuan ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve përmes analizës së mostrave të jashtëqitjes dhe të gjakut. Studiuesit zbuluan se disa baktere të zorrëve janë të lidhura me aktivitetin në zona të trurit që kontrollojnë sjelljen e të ngrënit. Për shembull, bakteret Coprococcus comes dhe Eubacterium hallii ishin negativisht të lidhura me aktivitetin në gyrus orbital inferior frontal, duke sugjeruar se mikrobet e zorrëve mund të ndikojnë në aftësinë tonë për të kontrolluar veten kur bëhet fjalë për ushqimin.

“Mikrobiom i zorrëve mundohen të komunikojë me trurin në një mënyrë të ndërlikuar dhe dy-drejtimëshe. Mikrobioma prodhon neurotransmiterë dhe neurotoksinë që mund të arrijnë në tru përmes nervave dhe qarkullimit të gjakut. Në këmbim, truri kontrollon sjelljen e të ngrënit, ndërsa ushqimi që konsumojmë ndryshon kompozitën e mikrobiomës së zorrëve”, ka thënë Xiaoning Wang, shkencëtar nga Qendra Klinike për Geriatri në Kinë.

Mbipesha është problem global, nga i cili vuajnë mbi një miliard njerëz, dhe rrit rrezikun për shumë sëmundje, nga kanceri deri te sëmundjet e zemrës.

Të kuptuarit më mirë se si truri dhe zorrët varen nga njëri-tjetri mund të ndihmojë në parandalimin dhe trajtimin më efektiv të mbipeshës.

Liming Wang, shkencëtar nga Akademia Kineze e Shkencave, thotë se pyetja tjetër kyçe është se “cili është mekanizmi i saktë se si mikrobiomi i zorrëve dhe truri komunikojnë te njerëzit me mbipeshë, përfshirë gjatë humbjes së peshës. Cilat baktere të mikrobiomit dhe cilat zona të trurit janë të rëndësishme për humbjen e suksesshme të peshës dhe ruajtjen e peshës së shëndetshme”.

Sipas shkencëtareve, ky hulumtim, i botuar në Frontiers in Cellular and Infection Microbiology, tregon nevojën për hulumtime të mëtejshme për të kuptuar lidhjen mes trurit dhe zorrëve dhe për të zhvilluar strategji më të mira për trajtimin e mbipeshës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë