Të enjtën në “Takim virtual me Shëndritin” ishte e ftuar psikologia klinike, Ibelinda Halili, me të cilën u diskutua rreth “Burn out”-it profesional.
Si fillim, psikologia shpjegoi se ky problem shfaqet në heshtje dhe simptomat kryesore të saj janë: irritimi konstant, stresi për ta përmbyllur një obligim, mungesa e durimit për t’i dëgjuar të tjerët, ankthi, lodhja konstante, argresiviteti, ndjesia që nuk po kontribuojnë mjaftueshëm në profesion dhe depresioni.
“Mund të themi se paraqitet në heshtje. Simptomatologjitë kryesore të saj lidhen me një irritim konstant, d.m.th nuk ia dalim t’i përmbyllim obligimet, ose stresi që t’i përmbyllim më shpejt obligimet. Në qoftë se personi është në pozita udhëheqëse, nuk e ka durimin t’i dëgjojë punëtorët ose pjesën tjetër të stafit me të cilin punojnë. Këtë energji jo të mirë e bartin edhe në familje…janë ankthsiozë, të lodhur, nuk mund t’i dëgjojnë të tjerët, kanë tendencë ta ngrisin zërin. Nëse janë duhanpirës, eksalojnë më shpejt. Kanë tendencë të krijojnë varësi ndaj alkoolit. Nëse janë në pozita udhëheqëse, kërkojnë gjëra të panevojshme nga punëtorët, etj”, deklaroi ajo.
Sipas Halilit, “Burn out”-i profesional më së shpeshti ndodh te personat që nuk e kanë të balancuar jetën personale me punën, mirëpo nuk përjashtohen as eksperiencat traumatike në të kaluarën të cilat ndikojnë në shfaqjen e kësaj sindrome. /familjajone