Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Çka është Bradikardia? – Intervistë me Elektrofiziologun e vetëm në Kosovë, Dr. Edmond Haliti

Albina Selmanaj

Muskuli i zemrës është përgjegjës për qarkullimin e gjakut në të gjithë trupin. Kur zemra nuk funksionon siç supozohet dhe zhvillon një ritëm anormalisht të ngadaltë që është më pak se 55 rrahje në minutë, gjendja njihet si bradikardia. Megjithatë, sipas Dr. Edmond Halitit, elektrofiziologut të vetëm në Kosovë, bradikardia nuk është gjithmonë shenjë e një problemi serioz dhe jo çdo rast kërkon trajtim të specializuar.

Në intervistën e tij për “Familja Jonë”, Dr. Haliti ofron një perspektivë të detajuar mbi bradikardinë, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tij. Ai shpjegon aspektet kryesore të kësaj gjendjeje, duke përfshirë shkaqet, ndikimin në shëndet, rreziqet afatgjata, dhe opsionet e trajtimit.

Përveç kësaj, Dr. Haliti shqyrton ndryshimet e rekomanduara në stilin e jetës për pacientët me bradikardi dhe momentin kur vendosja e një pacemaker-i bëhet e domosdoshme. Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të edukojë pacientët, duke u ofruar atyre njohuri të thella për bradikardinë dhe mënyrat më të mira për ta menaxhuar atë.

INTERVISTA E PLOTË:

1.      Çfarë është bradikardia dhe si përkufizohet ajo?

Bradikardia nënkupton rrahjet e ngadalshme të zemrës, që në mënyrë arbitrare konsiderohet kur numri i tyre është më i ultë se 55 rrahje/minutë në gjendje zgjuar.

Nëse rrahjet janë thjeshtë të ngadalshme por të rregullta, me origjinë nga nyja sinusale (hapshënuesi kryesor natyral i zemrës), kjo quhet bradikardi sinusale që në shumicën e rasteve është fiziologjike; ndërsa kur këto rrahje të ngadalshme janë të çrregullta ose nuk vijnë nga nyja sinusale por nga ndonjë pjesë tjetër e sistemit përçues të zemrës atëherë konsiderohet si bradiaritmi dhe ka më shumë të ngjarë të jetë patologjike (manifestim i ndonjë sëmundje ose rrethane jonormale).

2.      Cilat janë shkaqet më të zakonshme të bradikardisë?

Kur është fjala për bradikardinë sinusale ajo mund të jetë siç thashë fiziologjike, te personat e rinjë, të stërvitur fizikisht dhe të cilët nuk kanë ndonjë ankesë (asimptomatik); ndërsa më rrallë ajo mund të jetë pasojë e ndryshime e degjenerative ose proceseve tjera patologjike që prekin nyjen sinusale, sidomos te moshat më të vjetra (e ashtuquajtura sindromi i sinusit të sëmurë – SSS) ose veprim i ekzagjeruar i disa reflekseve fiziologjike (reflekset e aahtuquajtura vagale). Poashtu bradikarditë dhe bradiaritmitë mund të vijnë edhe si komplikime të sëmundjeve të tjera të zemrës të tilla si Infarkti akut i miokardit dhe manifestimet e tjera të sëmundjeve të arterieve koronare, kardiomiopatia hipetrofike, sëmundjet valvulare të zemrës, sëmundjet e lindura të zemrës, miokardit dhe sëmundjet infiltrative të zemrës, si edhe disa sëmundje infektive (si Borrelioza, infeksionet virale me Ebstein Bar virus, etj). Nga ana tjetër bradikarditë mund të shkaktohen edhe nga sëmundjet jashtë zemrës të tilla si funksioni i ulur i gjëndrës tirode (hipotireoza), sindroma Sheehan e hipopituitarizimi i natyrës tjetër, disa procese patologjike në tru, çrregullimet e elektrolitëve, mbidozimi me disa barna (beta bllokatorë, kalcium bllokatorë, digoksinë, disa qetësues e antidepresiv) ose helmime me substanca të ndryshme.

3.      Si ndikon bradikardia në shëndetin e përgjithshëm të pacientit?

Bradikardia sinusale fiziologjike e cila haset te personat e shëndosh dhe të stërvitur fizikisht, sikurse thashë më lartë nuk manifeston simptoma, konsiderohet normale dhe nuk duhet trajtuar; përkundrazi bradikardia jo-fiziologjike dhe bradiaritmia mund të shkaktoj lodhje, kokëdhimbje, mungesë përqëndrimi, mostolerancë ushtrimore (mungesë kondicioni fizik), marramendje, madje edhe ndjenjë të fikti (sinkopë).

4.      Cilat janë rreziqet afatgjata të një bradikardie të pamenaxhuar?

Nëse bradikardia jofiziologjike zgjatë, nuk është në proporcion dhe moshë  dhe stërvitjen fizike, nuk përshpejtohet gjatë aktivitetit fizik e nuk korrigjohet me largimin ose mjekimin e rrethanës patologjike që e ka shkaktuar, përveç se jap simptomat e lartëshënuara, mund të ndikoj seriozisht në performancën e zemrës, duke shkaktuar dëmtimin e vet muskulit të zemrës dhe fuqisë së saj pompuese, me ç’rast fillon dhe zhvillohet pamjaftueshmëria e zemrës. Po ashtu bradikardia mund ta ulë kualitetin e jetës, kufizon aktivitetin fizik, krijon pasiguri në jetën e përditshme, madje mund të pamundësoj realizimin e disa detyrave të veçanta si vozitja, puna në lartësi e disa detyra tjera me përgjegjësi publike (p sh prezentimi para publikut, lidershipi, etj).

5.      A ka ndonjë ndryshim në stilin e jetës që rekomandohet për pacientët me bradikardi?

Nëse bradikardia është shkaktuar nga stërvitja e madhe fizike, duhet kufizuar intensiteti ushtrimeve; kjo mund të jetë edhe pjesë e sindromës së ashtuquajturë “zemra e atletit” e cila kërkon masa të ndryshimit të regjimit ushtrimor në komsultim me profesionistin mjekësor; në rastet e sëmundjeve të caktuara ose rrethanave të tjera të identifikuara si shkaktar potencial i bradikardisë ose bradiaritmisë, atëherë duhet shmangur shkaktari (si psh barnat shkaktare, mungesat ose çrregullimet e elektrolitëve të caktuar) ose të bëhet trajtimi i sëmundjes shkaktare me mjekimin përkatës qoftë nga kardiologu (kur është fjala për sëmundje të zemrës) ose përfshi edhe specialist të fushave të tjera (endokrinolog, neurolog, infektolog, etj) kur shkaktari supozohet të jetë jashtë zemrë

6.      Kur rekomandohet një pacemaker për një pacient me bardikardi?

Pacemaker-i i (hapshënuesi) përkohshëm artificial mund të vendoset si masë urgjente te të gjitha bradikarditë e bradiaritmitë ekstreme të cilat manifestohen me marramendje, humbje vetëdije ose që rrezikojnë jetën e pacientit; ndërsa vendosja e pacemaker-it (hapshënuesit) të përhershëm bëhet atëherë kur janë përjashtuar shkaqet fiziologjike dhe shkaqet patologjike potencialisht të rikthyeshme (rrethana kalimtare ose sëmundjet që mund ta kenë shkaktuar përkohësisht bradikardinë).

Vendimarrja për implantim pacemaker kërkon një punë sistematike dhe të kujdeshme në kuptim të lidhjes mes gjetjeve në EKG, numri të të rrahurave/minutë, simptomave klinike, moshës, profesionit dhe kondicionit fizik të pacientit. Po ashtu, bazuar në sa u tha më lartë përcaktohet edhe lloji i pacemaker-it që do të plotësoj më së miri nevojat e pacientit, duke parandaluar shfaqjen eventuale të efekteve negative të pacemaker-it artificial.

7.      A është e mundur që bradikardia të kalojë vetvetiu pa trajtim?

Po, nëse bëhet fjalë sikurse pëmenda më lartë për shkaktar/ rrethana të rikthyeshme ose sëmundje të caktuara që mund të trajtohen (psh sëmundja e arterieve koronare, hipotireoza, problemet trunore, infeksione etj) dhe me atë rast efekti bradikardik muhd të jetë kalimtar.

Youtube

Arkiva

Kategoritë