Albina Selmanaj
Ramazani, është muaji më i shenjtë në kalendarin islamik. Ai përfshin agjërimin ndaj ushqimit, pijeve, duhanit dhe marrëdhënieve seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit.
Agjërimi për organizmin është një pushim dhe ripërtrirje nga niveli qelizor e tutje. Pra, është një shërim i heshtur i tërë organizmit duke eliminuar toksinat e tepricat tjera të krijuara gjatë një viti.
Për të folur më shumë rreth përfitimeve shëndetësore të agjerimit për një muaj, Familjajonë ka intervistuar nutricionistët, Bahri dhe Albana Sopa. Ata treguan për ushqimet nga të cilat duhet të kemi kujdes gjatë kësaj priudhe dhe për ushqimet që rekomandohen të përdoren gjatë Syfyrit dhe Iftarit. Ndër të tjera ata po ashtu treguan edhe për vlerat që kanë hurmet dhe mundësitë e dehidrimit gjatë kësaj periudhe.
Intervista e plotë:
1. Sa rekomandohet agjërimi tek njerëzit?
Hulumtimet më të reja shkencore dhe ne si QENDER E NUTRICIONI rekomandojmë dhe dëshmojmë se agjërimi ndikon në zvogëlimin e sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore i cili ka ndikim pozitiv në sistemin kardiovaskular në nivelin e lipideve në gjak, tensionin arterial, uljen e sheqerit në gjak, rritjen e ndjeshmërisë së insulinës, etj. Përveç proceseve tjera pozitive në organizmin tonë arrihen edhe dy procese të favorshme për organizmin. Autofagjia ka të bëjë me procesin qelizor degradimi natyror i qelizës që heq përbërësit e panevojshëm dhe jofunksional dhe regjenerimin e qelizave të organizmit. Edhe të dhënat shkencore psikiatrike, tregojnë se agjërimi ka një efekt psikotropik të vërtetuar, këto janë efektet e saj stimuluese, antidepresive dhe antistresive dhe shpjegohen me përqendrimin e shtuar të serotoninës, ndikimi pozitiv në ankthin dhe depresionin, përmbushë lumturinë shpirtërore, forcon besimin, ngrit respektin për njëri tjetrin dhe zbukuron jetën.
2. A ka një kategori njerëzish që nuk duhet të agjërojnë?
Ekspertët e shëndetit vlerësojnë se personat me sëmundje malinje terminale, insuficiencë koronare, hepatike, renale, pulmonale, gratë, shtatzëna, gji dhënëse, etj. nuk duhet të agjërojnë ndërsa ata me
simptome të lehta dhe të mesme kur kanë pengesa duhet konsultuar me personin përgjegjës shëndetësorë.
3. Cilat ushqime duhet të fillojmë t’i evitojmë gjatë kësaj periudhe?
Ushqimet që duhet evituar janë ato të përpunuara, rafinuara, me shtesa të sheqerit, ngjyrave, konservansëve, aditivëve, pijet e gazuara, yndyrat trans, etj.
4. Ushqimet që duhet t’i konsumojmë në Syfyr (mëngjes) dhe Iftar (darkë) ku dallojnë?
Ushqimet që duhet konsumuar në syfyr duhet të jenë individuale po një zgjedhje të përgjithshme e preferojmë: kosin, kefiri, djathi, trangujt, domatet, fara kungulli, farat e zeza, farat liri, farat chia, farat susami të zi dhe të bardhë, arrat, lajthi, badema, arra, braziliane, arra shqeme, vaj ulliri, vaj kokosi, vezët, etj. Ushqimi që duhet konsumuar në iftar e që ne e preferojmë hyjnë: fillimisht uji, hurmat, fiqi, kumbullat e thara, supat të përgatitura nga ujërat e mishrave të zierë e posaçërisht ato me kocka, të gjitha llojet e mishrave natyrale, mish gjedhi, mishrat e shpezëve, llojet e peshqve, kokrrat si thjerrëzat e gjelbërta të portokallët, fasulet e bardha, ,kafe dhe zezë, patatet, orizi i zi dhe integral, bullguri, quinoa e bardhë dhe kuqe, qiqrrat, etj, të gjitha llojllojshmëritë natyrale të sallatave, çajret e shumë llojshëm natyral.
5. Çfarë i ndodh trupit pa ujë gjatë këtyre orëve?
Një shqetësim i madh tek agjërimi është edhe humbja e ujit, shpenzimi i tij nga organizmi dhe nevojat e organizmit për ujë kur personi gjendet në agjërim. Gjatë agjërimit organizmi bën balancimin e sasisë ujit në mënyrë që personi të mos përfitoj efekte anësore të dehidrimit sepse gjatë agjërimit organizmi në periudha të caktuara e shfrytëzon si karburant yndyrën trupore dhe krijon struktura vitale që rrisin përmbajtjen e ujit në organizëm dhe krijon kushte të favorshme që atë përmbajtje trupore të shfrytëzoj më së miri.
6. Cilat janë vlerat e hurmave të Arabisë?
Vlerat e hurmeve janë të shumta, ato përmbajnë karbohidrate, yndyrna, proteina, vitamina si A, B1, B2, hekur, selen, kalium, calcium, fibra, etj.