Kanceri i stomakut e ka fillesën nga qelizat e shtresës së brendshme (mukoza) të stomakut. Sëmundja kryesisht zhvillohet ngadalë, për disa vite. Me zhvillimin e sëmundjes, qelizat kanceroze përhapen në gjithë shtresat e stomakut dhe mund të prekin edhe organet përreth si mëlçinë dhe pankreasin.
Kanceri i stomakut është një ndër llojet më të shpeshta të kancerit. Megjithatë, globalisht në dekadat e fundit, vihet re një rënie e rasteve të reja me kancer të stomakut, kjo për shkak te përdorimit masiv të frigoriferëve që sigurojnë ruajtjen e ushqimeve nga kontaminimi me baktere.
Nga se shkaktohet kanceri i stomakut?
Shkaku kryesor i kancerit të stomakut janë mutacione gjenetike në qelizat gastrike të cilat shkaktojnë rritjen e shpejtë dhe të pakontrolluar të këtyre qelizave duke formuar kështu një tumor. Faktorët e riskut që rrisin probabilitetin për zhvillim të kancerit të stomakut janë:
- Historia familjare
- Duhanpirja
- Obeziteti
- Infeksioni me Helicobacter Pylori
- Konsumi i tepëruar i kripës, ushqimeve të tymosura dhe turshive
- Dieta e varfër në fruta dhe perime
- Personat me grup gjaku A
- Infeksioni me virusin Epstein-Barr (EBV)
- Ekspozimi ndaj azbesit
Cilat janë simptomat e kancerit të stomakut?
- Nauze/të vjella
- Djegie ne stomak/urth
- Humbje të oreksit
- Rënie në peshë
- Lodhje
- Fryrje barku
- Të vjella me gjak (në stadet e avancuara)
Kur duhet të konsultoheni me një mjek?
Nëse keni një ose disa nga simptomat e sipërpërmendura, të cilat mund të jenë persistente, duhet të konsultoheni me një mjek për të kuptuar më shumë mbi shkakun e tyre.
Kërko një takim
Si diagnostikohet kanceri i stomakut?
Disa ekzaminime mund të nevojiten në diagnostikimin e kancerit të stomakut, si:
- Endoskopia (gastroskopia) – vendosja e një sonde të hollë dhe fleksibël e cila bën të mundur eksplorimin e stomakut dhe marrjen e biopsisë në rastet kur evidentohen lezione të dyshimta.
- CT skaner/MRI/Eko abdominale – vizualizon organet e brendshme dhe jep informacion për shtrirjen e sëmundjes.
- Analiza gjaku
- Biopsia – gjatë endoskopisë mund të merret një mostër nga lezioni dhe më pas të vlerësohet me mikroskop për evidentimin e qelizave malinje.
Si trajtohet kanceri i stomakut?
Trajtimi i kancerit të stomakut varet nga stadi i sëmundjes, gjendja e përgjithshme dhe preferencat e pacientit.
Në rastet kur kanceri i stomakut është i kufizuar në stomak, kirurgjia është modaliteti kryesor i trajtimit.
Modalitete të tjera trajtimi të cilat mund të jenë të kombinuara ose jo me kirurgjinë janë:
- – Radioterapia
- – Kimioterapia
- – Imunoterapia
Si mund të parandalohet kanceri i stomakut? Mjekoni infeksionet e stomakut.
Nëse vuani nga ulçera e stomakut të shkaktuar nga infeksioni H. Pylori, duhet të merrni mjekim. Trajtimi për infeksionin e H.Pylori kombinon antibiotikët të cilat eliminojnë bakteret me barna të tjera të cilat rigjenerojnë qelizat e dëmtuara të stomakut.Ushqehuni shëndetshëm
Dieta duhet të jetë e pasur me fruta dhe perime. Ato janë të pasura me fibra dhe vitamina të cilat ulin riskun për kancer të stomakut. Shmangni ushqimet e kripura, tymosura dhe turshi. Ruani një peshë të shëndetshme. Obeziteti rrit riskun për kancer të stomakut.Mos pini duhan
Risku i kancerit të stomakut është 2 herë më i madh në duhanpirës.Kujdes me përdorimin e aspirinës dhe antinflamatorëve jo steroidë.
Nëse merrni aspirinë për parandalim te sëmundjeve kardiovaskulare, ose antinflamatorë për artritin, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për riskun që mund të mbartin në lidhje me kancerin e stomakut. /Familja Jonë