Albina Selmanaj
Sindroma e zorrës së irrituar (IBS) është një çrregullim i zakonshëm që prek stomakun dhe zorrët, të quajtur edhe trakti gastrointestinal. Vetëm një numër i vogël i njerëzve me IBS kanë simptoma të rënda. Disa njerëz mund të kontrollojnë simptomat e tyre duke menaxhuar dietën, mënyrën e jetesës dhe stresin.
Por për të kuptuar më shumë rreth kësaj sëmundje, Familja jonë ka intervistuar gastroenterologun, Mead Ramadani i cili ka dhënë më shumë detaje që kanë rëndësi në përballjen me këtë sëmundje.
Gjatë intervistës gastroenterologu, Ramadani ka shpjeguar më saktësishtë rreth shkaktarëve të IBS dhe ka treguar edhe për simptomat nga të cilat karakterizohet ky problem shëndetësor.
Ndër të tjera, Ramadani ka përshkruar edhe për mënyrën e trajtimit të kësaj sëmundje.
Për më shumë detaje lexoni intervistën e plotë më poshtë:
Çfarë është sindroma e zorrës së irrituar (IBS)?
Sindroma e zorrës se irrituar apo Irritable bowel syndrome-IBS, është një çrregullim i tretjes që përcillet me dhimbje në bark, gazra, fryrje, diare apo kapsllëk te i njejti pacient në periudha të ndryshme kohore. Prek rreth 20% të njerëzve në mbarë botën dhe është diagnoza më e zakonshme gastrointestinale dhe shkaku i dytë më i zakonshëm i mungesës nga puna.
Cilat janë shkaktarët dhe faktorët që i përkeqësojnë simptomat e IBS?
Prishja e boshtit zorrë-tru është shkaktari kryesor që njihet si IBS. Boshti zorrë-tru është një term i përdorur për të përshkruar komunikimin e dyanshëm midis sistemit nervor qendror dhe atij enterik, duke lidhur qendrat emocionale të trurit me funksionimin e zorrëve. Për shkak të boshtit zorrë-tru, emocionet mund të ndikojnë në zorrë në një sërë mënyrash ashtu si edhe zorrët mund të ndikojnë në gjendjen mendore.
Stresi, ankthi, depresioni apo traumat e forta emocionale shkaktojnë shumëçka, nga dhimbjet e stomakut deri te një ndryshim në lëvizjet e zorrëve! Këto mund të aktivizojnë sistemin nervor qendror, i cili nga
ana tjetër liron hormone që ndikojnë në proceset e tretjes në zorrë dhe mund të shkaktojnë diarre (barkqitje), kapsllëk, gazra ose shqetësim. Lidhja midis trurit dhe zorrëve mendohet se luan një rol
kyç në IBS.
Cilat janë simptomat kryesore të sindromës së zorrës së irrituar?
Simptomatologjia e IBS është e larmishme dhe tek i njejti pacient mund të ketë simptoma të ndryshme në periudha të ndryshme kohore. Pacientët ankohen kryesisht për dhimbje apo shtrengime të përsëritura pa ndonje arsyje të njohur në pjesën e barkut, diare, kapsllëk, gazra,meteorizma, parehati, gunga në stomak, humbje oreksi dhe shpesh herë nevojë urgjente për të defekuar, madje disa pacientë përshkruajnë se defekojnë para se të urinojnë. Duke qenë se IBS shkakton irritim por jo inflamim te zorrëve, IBS nuk rrit rrezikun për kancer të zorrëve, por IBS shkakton malabsorbim (keqthithje nga zorrët), prandaj trajtimi i IBS
është i domosdoshëm.
Si diagnostikohet sindroma e zorrës së irrituar?
Diagnostikimi i Sindromës së Zorrës të Irrituar (IBS) bëhet përmes një anamneze të kujdessshme mjekësore dhe analizave e ekzaminimeve shtesë të cilat përjashtojnë probleme të tjera të cilat japin simtomatologji të ngjashme si p.sh. sëmundjet inflamatore të zorrëve (IBD), intoleranca në gluten apo laktozë, kanceri i zorrës etj.
Cilat janë opsionet e trajtimit për sindromën e zorrës së irrituar si dhe a mund të kontrolohet IBS
me anë të ndryshimeve në dietë?
Ka disa strategji që mund të ndihmojnë të menaxhohet
IBS-i dhe të përmirësohet shëndeti i trurit:
1️⃣ Kontrolli i ushqimit: Identifikimi dhe shmangia nga ushqimet që shkaktojnë simptoma. Rritja e konsumit të fibrave ushqimore dhe ujit është gjithashtu e rëndësishme.
2️⃣ Menaxhimi i stresit: Metodat si meditimi, joga ose terapia e relaksimit mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe ndihmojnë në trajtimin e IBS-it.
3️⃣ Rregullimi i orës biologjike: Krijimi i rutinave të rregullta për të ngrënë dhe për të shkuar në tualet do të ndihmojë në stabilizimin e funksionimit të zorrëve.
4️⃣ Konsultimi i gastroenterologut: Mjekimet ndikojnë në mënyra të ndryshme tek pacientët e ndryshëm, jo çdo medikament apo kombinim medikamentesh mund të jetë i vlefshëm për çdo pacient njësoj. Prandaj, nevoitet konsultimi i gastroenterologut për të gjetur kombinimin e duhur të medikamenteve, dietës dhe kontrollin e simptomave për trajtim adekuat./ Familjajonë
Dr. Mead Ramadani
Specialist i Gastroenterologjisë
Kontakti: 049/145-135