Në përgjithësi, faktorët e rrezikut për demencën vaskulare janë të njëjtë me ata për sëmundjet e zemrës dhe sulmit në tru.
Faktorët e rrezikut për demencën vaskulare përfshijnë:
- Moshën – Rreziku i demencës vaskulare rritet me plakjen. Çrregullimi është i rrallë para moshës 65-vjeçe dhe rreziku rritet ndjeshëm në të 90-at.
- Historia e infarkteve në zemër, infarkteve në tru ose goditjeve të vogla – Nëse keni pasur një atak në zemër, mund të jeni në rrezik të shtuar për të pasur probleme me enët e gjakut në tru. Dëmtimi i trurit që ndodh me një goditje në tru ose një goditje të vogël (sulm ishemik kalimtar) mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të demencës.
- Plakja jonormale e enëve të gjakut (ateroskleroza) – Kjo gjendje ndodh kur depozitat e kolesterolit dhe substancave të tjera (pllakat) grumbullohen në arteriet dhe ngushtojnë enët e gjakut. Ateroskleroza mund të rrisë rrezikun e demencës vaskulare duke reduktuar rrjedhën e gjakut që e ushqen trurin.
- Kolesteroli i lartë – Nivelet e ngritura të lipoproteinës me densitet të ulët (LDL), kolesteroli “i keq”, shoqërohen me një rrezik në rritje të demencës vaskulare.
- Presioni i lartë i gjakut – Kur tensioni i gjakut është shumë i lartë, ai ushtron stres shtesë në enët e gjakut kudo në trup, duke e përfshirë trurin. Kjo e rrit rrezikun e problemeve vaskulare në tru.
- Diabeti – Nivelet e larta të glukozës dëmtojnë enët e gjakut në të gjithë trupin. Dëmtimi në enët e gjakut të trurit mund të rrisë rrezikun e goditjes në tru dhe demencës vaskulare.
- Pirja e duhanit – Pirja e duhanit dëmton drejtpërdrejt enët e gjakut, duke e rritur rrezikun e aterosklerozës dhe sëmundjeve të tjera të qarkullimit të gjakut, duke përfshirë demencën vaskulare.
- Obeziteti – Të qenët mbipeshë është një faktor i njohur rreziku për sëmundjet vaskulare në përgjithësi, dhe për këtë arsye, me sa duket rrit rrezikun e demencës vaskulare.
- Fibrilacioni atrial – Në këtë ritëm jonormal të zemrës, parabarkushet e zemrës fillojnë të rrahin shpejt dhe në mënyrë të parregullt, jashtë koordinimit me barkushet zemrës. Fibrilacioni atrial e rrit rrezikun e goditjes në tru, sepse shkakton formimin e mpiksjes së gjakut në zemër që mund të shkëputet dhe të shkojë në enët e gjakut të trurit.