Të folurit për infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të jetë e pakëndshme.
Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vlerësojnë se 20% e amerikanëve kishin një infeksion seksualisht të transmetueshëm në 2018, shkruan burimi Health Day.
CDC raporton se kishte 43 milionë infeksione HPV në Shtetet e Bashkuara në vitin 2018.
HPV është një virus dhe Mayo Clinic thotë se është kaq i përhapur sa rreth 85% e të gjithë njerëzve do të infektohen me HPV gjatë jetës së tyre.
Dr. Nipunie Rajapakse, mjek i sëmundjeve infektive pediatrike të Klinikës Mayo, tha në një artikull të fundit se “gjëja e frikshme për këtë virus është që mund të shkaktojë kancer”.
Si e merrni HPV-në?
HPV përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe intim me dikë të infektuar me virus. Kjo përfshin seksin vaginal, anal dhe oral, ose kontaktin lëkurë me lëkurë.
Kushdo që është seksualisht aktiv mund të infektohet me virusin.
Sipas Mayo Clinic, ju jeni në një rrezik më të lartë për t’u prekur nga HPV nëse keni shumë partnerë seksualë dhe keni një sistem imunitar të dobësuar.
Simptomat e HPV:
Është e zakonshme që një person, mashkull apo femër, të jetë i infektuar me HPV dhe të mos ketë fare simptoma. Megjithatë, CDC paralajmëron se një person asimptomatik me HPV ende mund të infektojë dikë tjetër.
Ka disa lloje të HPV-së që mund të shkaktojnë simptoma si lythat gjenitale apo edhe kancer.
HPV tek gratë: Mayo Clinic shpjegon se lythat gjenitale janë gunga të vogla, me ngjyrë kafe ose rozë, që gjenden në vulvë, muret vaginale, anus ose qafën e mitrës. Mund të shfaqen edhe në gojë ose në fyt.
Lythat gjenitale mund të shkaktojnë kruajtje dhe parehati, si dhe gjakderdhje me marrëdhënie intime.
HPV tek meshkujt: Meshkujt gjithashtu mund të zhvillojnë lytha gjenitale. Për meshkujt, lythat gjenitale mund të zhvillohen në penis, skrotum, anus, në gojë dhe fyt.
Ekziston gjithashtu një rrezik kanceri për burrat me HPV me rrezik të lartë. Nëse nuk trajtohet për një periudhë të gjatë kohore, virusi mund të modifikojë qelizat dhe të zhvillohet në kancer. Kjo përfshin kancerin e penisit, anal dhe orofaringut.