Javën e fundit është vërejtur një rënie e rasteve aktive të raportuara me koronavirus, gjë që pashmangshëm të çon te pyetja: A kemi të bëjmë me një përmirësim të situatës pandemike në Kosovë?
Nëse përfundimet duhet të nxirren nga statistikat javore, atëherë mund të flitet për një rënie të numrit të të infektuarve dhe të vdekurve në Kosovë.
Nga 17 mijë e 625 raste aktive me koronavirus, sa ishin javën e kaluar, numri i personave ende të infektuar me koronavirus ka rënë në 11 mijë e 862. Ndonëse shifrat janë ende të larta sa i përket numrit total të popullisisë, shenjat e para të lehtësimit të gjendjes janë evidente.
Një kundërargument për uljen e numrit të rasteve aktive mund të jetë edhe ulja e testimeve, gjithsesi këto dy elemente jo domosdoshmërisht kanë marrëdhënie korrelative. Përkundër që vazhdon të jetë tragjik numri i viktimave të raportuara çdo 24-orësh, edhe vdekjet kanë filluar që të bien në numër. Nga 174 viktima gjithsej të raportuara në javën e kaluar, këtë javë janë 120, shifër kjo akoma shqetësuese, por më e ulët krahasuar me javët e kaluara.
Në përmirësimin e situatës padyshim mund të ketë luajtur rol edhe vaksinimi. Deri më tani, numri i personave që e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës ka kaluar shifrën 400 mijë, kurse i atyre me dozën e parë mbi 700 mijë.
Se situata është më e menaxhueshme këto ditë tregon edhe numri i hospitalizimeve i personave të sëmurë me COVID-19 në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme, që raportojnë për një ulje të numrit të pacientëve.