Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët

Të gjithë besimtarët katolikë, kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, ndodhur sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas kryqëzimit dhe vdekjes së tij në kryq.

Edhe pse një festë që bie në ditë të ndryshme në varësi të vitit dhe me dallime mes kalendarit katolik, ortodoks dhe hebre, mbetet një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë.

Festa e Pashkës për të krishterët, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas ekuinoksit të pranverës.

Pashkët paraprihen nga një koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhen Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime”, dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. 40 ditët përkujtojnë 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim .

Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, bekimi i ushqimit është një tjetër ritual i besimtarëve katolikë në Festën e Pashkëve.

Besimtarët i drejtohen Kishës për të marrë bekimin e ushqimeve për të festuar këtë moment të rëndësishëm të ngjalljes së Krishtit. Në shportën me ushqime që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, ku nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.

Tema kryesore e Pashkës është rilindja, ringjallja, simbolika e së cilës gjendet fort tek lulet dhe kryesisht tek zambakët. Kjo lule e bukur besohet të jetë rritur në të njëjtin kopsht ku u arrestua Jezusi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë