Do kurajë, e mbi të gjitha dashuri të pakusht për të jetuarit, mos shkurajimi teksa ende gjendesh në një betejë, fundin e së cilës nuk e njeh.
Dorëzimi nuk ekziston për Lirije Jakupin, që është e vendosur të triumfojë përballë sëmundjes së kancerit të qafes së mitrës.
Ajo, në një rrëfim për portalin “Familja Jonë” tregon se kur iu shfaq sëmundja dhe si po ia del në menaxhimin e saj.
“Jam diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës në dhjetor të vitit që lamë pas. Kam shkuar të bëj “paptest”, por që nuk kam mundur ta kryej shkaku që më është lëshuar gjakderdhja dhe jam udhëzuar për në QKUK”, theksoi fillimisht ajo.
“Në QKUK (Klinika e Gjinekologjisë) e kam bërë biopsinë, ku edhe rezultova me kancer në qafë të mitrës në fazën e tretë, pastaj na treguan mjekët se nuk mund të kryhet operimi”.
Beteja sapo kishte filluar, por Jakupi mishëronte forcë të pashoq për ta luftuar sëmundjen. Sic thotë edhe vetë ajo, përkundër simptomave jo të lehta, krejt këtë gjendje e ka marrë shumë qetësisht.
“Rrugëtimi im me kancer vazhdoi me fazën e kemioterapisë dhe rrezatimeve. Kisha dhimbje shpine, barku, sekrecione me erë të rëndë dhe cikël të crregullt. Personalisht e kam marrë me shumë qetësi dhe sportivitet sëmundjen, sepse besimi në Zot m’i ka lehtësuar këto momente të vështira”, shtoi tutje ajo.
Anipse nuk reflekton dorëzim as edhe në një cast të vetëm, kjo nuk u pengoi të afërmve që të mërziteshin për të.
“Fëmijët fillimisht e kanë pritur shumë rëndë, por me kohën edhe ata u mësuan duke më parë mua që e kam marrë me shumë sportivitet.
Në këto kohë, janë fëmijët dhe të afërmit e mi që më ndihmojnë të vazhdoj përpara”, thotë Jakupi.
Aktualisht, ajo shprehet se trajtimi po i shkon shumë mirë, por ka një porosi për të gjitha gratë e vajzat.
“Të gjitha gratë e vajzat i këshilloj që të bëjnë kontrolle sa më të shpeshta, sepse unë nuk kam bërë kontrolle shpesh te gjinekologu dhe e kam vërejtur me vonesë sëmundjen”, përfundoi ajo. /familjajone