Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Artrozat: shkaktarët, shenjat, këshilla dhe trajtimi

Çfarë është artroza? 

Artroza është një sëmundje degjenerative e cila prek dhe shkatërron kartilagon artikulare. Duke qenë një sëmundje degjenerative, duke evoluar ajo mund të prekë edhe strukturat të cilat rrethojnë artikulacionet si muskujt, tendinat, ligamentet, kapsulën artikulare dhe membranën sinoviale. Ajo shoqërohet me dëmtim të artikulacionit pa inflamacion.

Artroza ka si qëllim deformimin e artikulacionit. Ajo karakterizohet nga fenomeni i destruksionit (shkatërrimit) dhe konstruksionit (formimit) kockor.

Artrozat i ndajmë në:

– Idiopatike (primare) të cilave nuk u dihet shkaku.

– Sekondare të cilat shkaktohen si pasojë e një sëmundjeje primare.

Shkaktarët 

– cilësia e kartilagos

– keqformimet kongenitale

– mbipesha ose obeziteti

– sëmundjet inflamatore

– traumat ose mikrotraumat e përsëritura

– faktorët trashëgues

– plakja natyrore e artikulacioneve

– mungesa e vaskularizimit, etj.

Klinika (shenjat e artrozës)

– Dhimbje kryesisht mekanike. Dhimbja shfaqet në fillim të lëvizjes dhe pastaj zhduket. Në fazat e mëvonshme dhimbja shfaqet gjatë pushimit apo edhe gjatë natës. Ato mund të jenë të lokalizuara ose irradiuese.

– Ngurtësim artikular. Artikulacionet fillojnë të bëhen rigide.

– Limitim të lëvizjeve dhe ulje të funksionit. Duke qëndruar vazhdimisht në pozicione që parandalojnë dhimbjet, fillon ngurtësimi artikular, artikulacionet bëhen më pak të lëvizshme dhe mund të kemi humbje të funksionit. Shembull: Në rastin e një gonartroze (artrozë e gjurit) personi e mbledh dhe e shtrin këmbën me vështirësi.

– Modifikim i statikës si dhe deformime të artikulacionit

– Mund të jenë të pranishme zhurma në artikulacion gjatë lëvizjes

– Inflamacion artikular. Shpesh artroza shoqërohet dhe me artrit. Në artikulacion vërehen procese inflamatore. Artikulacioni është i dhimbshëm, i enjtur, ka nxehtësi lokale dhe ka mbiprodhim të lëngut sinovial.

Në një radiografi të artikulacionit shihen:

– ngushtim i hapësirës artikulare

– osteosklerozë dhe osteofitozë

– geode të dukshme

Trajtimi i artrozave

Artroza nuk shërohet plotësisht por duke ulur dhimbjen dhe duke rritur amplitudën e lëvizjeve mund të ngadalësojmë procesin e saj dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës.

Trajtimi i artrozave është medikamentoz dhe rehabilitues. Medikamentet që përdoren janë analgjezikët dhe anti inflamatorët josteroidë të cilat jepen nga mjeku juaj. Ndërsa trajtimi rehabilitues duhet të kryhet nga një fizioterapist.

Program rehabilitues ka si qëllim të parandalojë dhimbjet, humbjen e funksionit, deformimet e artikulacioneve si dhe të përmirësojë ecjen dhe cilësinë e jetës suaj.

Nëse dhimbja vazhdon atëherë personi i nënshtrohet kirurgjisë.

Këshilla

– Rekomandohen masazhet. Nëse nuk ka inflamacion në artikulacion masazhi duhet bërë lokalisht, ndërsa në rastet kur ka inflamacion masazhi duhet bërë në distancë.

– Programoni gjithmonë një pushim pas një aktiviteti

– Evitoni qëndrimin pa lëvizur për një kohë të gjatë. Ndryshoni shpesh pozicion për të ulur ngurtësimin artikular dhe muskular.

– Mbani këpucët e duhura. Nuk rekomandohet përdorimi i takave.

– Adaptoni shtëpinë tuaj me nevojat.

– Evitoni shkaktarët e artrozave.

– Rekomandohet përdorimi i mjeteve ndihmëse (ortezave) si shkopi, paterica, etj. 

Youtube

Arkiva

Kategoritë