Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Anemia gjatë shtatzënisë – Intervistë me gjinekologen, Flutura Ismajli Qosja

Albina Selmanaj

Anemia gjatë shtatzënisë është një gjendje e zakonshme që ndodh kur nuk ka mjaftueshëm qeliza të kuqe të gjakut ose hemoglobinë për të transportuar oksigjenin në trupin e nënës dhe të foshnjës në zhvillim. Kjo gjendje mund të ketë disa shkaqe dhe pasoja për shëndetin e të dyve.

Për të mësuar më shumë rreth këtyre shkaqeve, Familjajonë ka intervistuar gjinekologen Flutura Ismajli Qosja, e cila ka ndarë detaje të rëndësishme mbi këtë gjendje gjatë shtatzënisë.

Shkaqet më të shpeshta të anemisë gjatë shtatzënisë

Sipas Dr. Qosjes, shkaqet më të shpeshta të anemisë gjatë shtatzënisë përfshijnë mungesën e hekurit në trup, e cila prek 20-30% të grave shtatzëna.

Në këtë periudhë, organizmi i gruas përjeton ndryshime të mëdha, duke përfshirë rritjen e mbajtjes së ujit, e cila shkakton aneminë fiziologjike. Në të njëjtën kohë, kërkesat për hekur rriten, pasi hekuri është përbërësi kryesor i hemoglobinës, e cila transporton oksigjenin në gjak. Kjo rritje e kërkesave për hekur shkakton anemi gjatë shtatzënisë,” shpjegoi, Dr. Qosja.

Anemia nga mungesa e acidit folik është gjithashtu e zakonshme gjatë shtatzënisë. Gratë këshillohen të marrin acid folik tre muaj para shtatzënisë për të parandaluar anomalitë në tubin neural të foshnjës.

Simptomat e anemisë gjatë shtatzënisë

Simptomat e një gruaje shtatzënë anemike mund të jenë:

  • Lodhje
  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Çrregullime të rrahjeve të zemrës
  • Dhimbje gjoksi
  • Lëkurë e zbehtë
  • Mukoza e zbehtë
  • Dobësim i thonjëve
  • Çrregullime të humorit dhe përqendrimit

Tek foshnjat, anemia e lehtë mund të mos shkaktojë komplikime, por forma e moderuar mund të sjellë lindje të parakohshme dhe fëmijë me peshë të ulët në lindje. Anemia e rëndë mund të çojë deri në vdekjen e foshnjës në mitër“, tha tutje, gjinekologia.

Trajtimi dhe parandalimi i anemisë gjatë shtatzënisë

Për trajtimin e anemisë, një ndërhyrje e rëndësishme është rritja e konsumit të hekurit në dietë.

Ushqime të pasura me hekur përfshijnë mishin e kuq, bizelet, thjerrezat, rrushin e thatë, kumbullat, fiqet, patatet me lëkurë, kajsit, brokolin dhe perimet e gjelbërta. Po ashtu, suplementet me hekur janë një opsion i rëndësishëm, të shoqëruara me vitaminë C për një përthithje më të mirë“, tregoi ajo.

Rekomandimet për gratë shtatzëna

Gratë shtatzëna duhet të mbajnë një dietë të shëndetshme dhe të kryejnë analiza laboratorike rregullisht për të monitoruar nivelin e hemoglobinës. Në rast të nevojës, ato duhet të marrin suplemente për të siguruar shëndetin e tyre dhe të foshnjës.“, përfundoi, Ismajli Qosja

.

Youtube

Arkiva

Kategoritë