Studime të shumta kanë ardhë në përfundim se personat obezë kanë më shumë gjasa të futen në depresion.
Megjithatë, ende është e paqartë pse dhe cilat janë mekanizmat e saktë biologjikë që lidhin obezitetin me depresionin.
Një grup studiuesish nga Universiteti i Glasgow në Mbretërinë e Bashkuar në bashkëpunim me Institutin Gladstone, San Francisko, Kaliforni, kanë studiuar së fundmi se si një dietë e pasur me yndyra të ngopura rrit gjasat për depresion.
Drejtuesi i këtij studimi, Prof. George Baillie, nga Universiteti i Glasgow shprehet se është shumë e rëndësishme të kuptohet më shumë mbi lidhjen e obezitetit me depresionin, sepse depresioni në personat obezë duket te jete me mekanizëm të ndryshëm nga depresioni që shfaqet në personat me peshë normale.
Në artikullin e tij të publikuar në revistën shkencore “Translational Psychiatry”, shpjegon se shumë njerëz me depresion dhe obezitet, nuk kanë përmirësim nga trajtimi me antidepresantë. Po ashtu, në këta persona nuk shfaqen efektet anësore të zakonshme të antidepresantëve si mbipesha.
Por çfarë ndodh në trurin e personave mbipeshë ose obezë, që i bën më të prekshëm nga depresioni?
Për të krijuar një ide më të hollësishme, studiuesit kryen një studim paraprak në minj, të cilët u ushqyen me dietë të pasur në yndyra, me përmbajtje deri në 60% yndyrash të ngopura dhe te pangopura.
Truri i gjitarëve, përfshij njeriun, ka nevojë për disa acide yndyrore si – omega 3 – për funksionimin e tij. Trupi i njeriut nuk mund të vet sintetizoj këto acide yndyrore, ndaj duhet t`i marrë ato me anë të ushqimit.
Megjithatë, jo të gjitha acidet yndyrore janë të shëndetshme dhe akumulimi në tepricë i tyre në trup mund të shkaktojë probleme shëndetësore.
Në këtë studim, studiuesit analizuan se si acidet yndyrore akumulohen në trurin e minjve pas dietës së lartë më yndyra dhe nëse këto substanca ndikonin në mekanizmat e njohur për probleme të shëndetit mendor duke u lidhur me ndryshim të sjelljes së minjve dhe me shfaqje të depresionit.
Shumë shpejt, ata vunë re se kishte depozitime të shumta të acidit palmitik në hipotalamus, i cili rregullon balancën e shumë hormoneve në trup.
Acidi palmitik është një acid yndyror i ngopur i cili gjendet në shumë ushqime të përditshme si vaji i palmës, djathi, gjalpi, margarina dhe disa produkte mishi.
Në shumë studime të tjera acidi palmitik është lidhur me riskun për rritje të sëmundjeve kardivaskulare.
Nëpërmjet këtij studimi, është vënë re se niveli i lartë i acidit palmitik në hipotalamus stimulonte dhe mekanizma të njohur të depresionit si ai i cAMP/PKA, në lidhje me çrregullimin e emocioneve.
Kjo është hera e parë që është bërë një lidhje e qartë e mekanizmit të depresionit me sasinë e lartë të yndyrave në dietë.
Ky studim ka hapur rrugën për shumë studime të tjera të cilat do të zbulonin më shumë për mënyrën e trajtimit të personave obezë dhe mbipeshë me depresion dhe ka treguar se duhet të jemi të vëmendshëm në përzgjedhjen e dietës tonë.