Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
A keni dëgjuar ndonjëherë për Limfedemën?

Limfedema është një ënjtje jo normale që mund të ndodh në krah, duar, gji ose kraharor, si pasojë e kirurgjisë së gjirit ose trajtimit me radioterapi në atë regjion. Limfedema mund të shfaqet muaj ose disa vite pas trajtimit.

Limfa është një masë e lëngshme me përmbajtje kryesisht proteinash dhe rruaza të bardha të gjakut, që qarkullon në trup për të luftuar infeksionet dhe larguar gjithë mbetjet, bakteret dhe substanca të tjera nga indet. Edema është depozitimi i lëngjeve me tepricë. Kështu, limfedema ndodh kur një sasi e madhe limfe depozitohet në një zonë të caktuar të trupit.Nëse limfedema shfaqet në pacientët e trajtuar për kancer gjiri, shpesh ndodh në krahë ose duar, por ndonjëherë mund të shfaqet në gji, aksilë dhe kraharor.

Limfedema zakonisht zhvillohet gradualisht. Shenjat e saj të para mund të jenë ndjesi të pazakonta – të tilla si ndjesi shpimi ose mpirje dhe më pas shoqërohet me ënjtje të dukshme (edemë). Simptoma të tjera shoqëruese mund të jenë: dhimbje, rëndesë, humbje të fleksibilitetit të dorës dhe krahut, shtrëngim në dorë, krah dhe kraharor. Trajtimi i hershëm i limfedemës është i rëndësishëm, ndaj duhet të diskutoni me mjekun shqetësimet tuaja.

Pse ndodh limfedema?

Si pjesë e operacionit të gjirit, nga regjioni aksilar (sqetulla) mund të jenë hequr të paktën 2 – 3 limfonoduj (biopsi e limfonodulit sentinel) ose edhe më shumë (diseksioni aksilar). Këta limfonoduj hiqen për arsye se janë zona e parë ku qelizat kanceroze mund të jenë përhapur. Shumë persona pas kirurgjisë së gjirit kanë të nevojshëm dhe trajtim me radioterapi në regjionin aksilar, supraklavikular dhe atë torakal. Kirurgjia dhe rrezatimi mund të kenë dëmtuar disa nga enët limfatike që bëjnë të mundur qarkullimin e limfës. Veshtirësitë e qarkullimit të limfës, bëjnë që ajo të akumulohet dhe të krijojë edema në zona të caktuara.

Si mund të parandalohet limfedema?

Limfedema jo gjithmonë mund të parandalohet, por nëse diagnostikohet herët, mund të trajtohet. Disa rekomandime për parandalim jane:

  • Kujdesuni që lëkura të jetë gjithmonë e pastër duke e pastruar me larës për lekurë sensitive.
  • Kujdesuni për thonjtë që të jenë të pastër dhe mos prisni asnjëherë kutikulat.
  • Përdorni krem hidratues për lekurën dhe mos lejoni të thahet.
  • Gjithmonë përdorni krem mbrotjës nga dielli.
  • Nëse duhet të pastroni apo të kudeseni për bimët, duhet të përdorni gjithmonë doreza mbrojtëse.
  • Nëse dëmtoheni në lekurë përdorni një krem me përmbajtje antibiotiku për profilaksi.
  • Mos kryeni matje të tensionit në krahun me predispozitë për limfedemë.
  • Ruani një peshë optimale.
  • Evitoni saunat dhe banjat e nxehta.

Si trajtohet limfedema?

  • Ushtrime fizike: ushtrime specifike të cilat rekomandohen nga mjeku ose terapisti juaj.
  • Fashat elastike: mund të ndihmojnë në qarkullimin e limfës
  • Dieta dhe kujdesi për peshën optimale
  • Pozicioni i dorës lartë: ndihmon në qarkullimin e limfës
  • Parandalimi i infeksioneve: është e rëndësishme të mbrohet lëkura në zonën edematoze
  • Masazhe: nga staf i kualifikuar ndihmon në qarkullim të limfës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë