Mijëra vajza të reja po postojnë përmbajtje seksuale në TikTok për një audiencë prej miliona ndjekësish, duke i lënë ato në mëshirën e “grabitqarëve”në internet.
Ka shqetësime në rritje për videot me përmbajtje për një moshë më të rritur, që përfshijnë adoleshentë të mitur që detajojnë përvojat e tyre seksuale ose flasin për dëshirat seksuale për mësuesit e tyre.
Ndërsa disa nga përmbajtjet mund të duken të padëmshme kur ndahen midis miqve, këto video janë të aksesueshme publikisht për këdo që ka aplikacionin.
Por për vajzat që përdorin TikTok, i cili lejon që përmbajtjet sugjestive të inkurajohen me ‘zemra’ (pëlqime) miratimi që ato marrin mund të ndihet si shpërblim dhe t’i bëjë të ndihen të pranuara, gjë që mund të dëmtojë shumë vetëvlerësimin e vajzave të asaj moshe.
Në SHBA, Qendra Kombëtare për Shfrytëzimin Seksual (NCOSE) madje ka shkuar aq larg sa ka renditur TikTok në listën e saj të vitit 2020 si kompanitë kryesore që lehtësojnë shfrytëzimin seksual.
“Të gjitha llojet e mediave sociale mund të përdoren për të dëmtuar seksualisht ose trafikuar fëmijë ose të rritur, por TikTok është veçanërisht i paefektshëm në krijimin e një hapësire të sigurt në internet,” thotë Haley McNamara, Zëvendës Presidente e Avokimit dhe Outreach në NCOSE.
Adoleshentët janë natyrshëm të interesuar për rreziqet dhe seksin
Dr Elaine Kasket, një psikologe që ka hulumtuar gjerësisht mediat sociale, thotë se ky sistem në TikTok po përforcon artificialisht një fenomen natyror.
“Adoleshentët janë natyrisht të interesuar të marrin rreziqe dhe ata natyrisht janë të interesuar të mësojnë për seksin dhe të zbulojnë veten si qenie seksuale dhe ta eksplorojnë atë,” thotë ajo.
“Ata janë të hapur ndaj lajkave, janë të hapur ndaj joshjes, janë të hapur ndaj pranimit që marrin nga zemrat që marrin dhe pëlqimet që marrin”.
“Ai lloj miratimi që thotë: “Ti je tërheqëse dhe ne na pëlqen” – ky është një lloj “stimuli”, natyrisht, për adoleshentët dhe kjo është një gjë normale zhvillimore”.
Por Dr Kasket thotë se kombinimi i dëshirës së adoleshentëve për miratim me një platformë dixhitale globale mund të nxisë masivisht inkurajimin e vajzave për të postuar përmbajtje seksuale.
Edhe pse shumë nga përmbajtjet që vajzat ndajnë në platformë janë mjaft të pafajshme në sytë e miqve të tyre, mund të marrin një dimension shumë më të keq në duart e gabuara.
Katy Levin thotë se vajzat e saj Lucie, 12, dhe Orli, 9 vjeç, shpesh bëjnë dhe ndajnë video të tyre duke ndryshuar menjëherë nga pizhamet në veshjet e tyre për t’i veshur gjatë gjithë ditës.
“Mendoj se është mjaft e ëmbël”, thotë Katy. “Por unë kurrë nuk e kam menduar atë nga këndvështrimi i një të huaji, atë që njerëzit e tjerë po shohin.
“Unë shoh vajzën time me një bluzë dhe një palë pantallona të shkurtra dhe nuk mendoj asgjë për këtë, por mendoj se disa njerëz mund të jenë atje që e shohin atë në një mënyrë shumë të ndryshme nga ajo që po e shoh unë.”
Julia Shields, e cila ka katër djem, shqetësohet për efektin që ka përmbajtja seksuale në TikTok tek 12-vjeçari i saj, Ally.
“Jam vërtet e tronditur nga përmbajtja pornografike e saj,” thotë ajo.
“Kjo është gjëja kryesore që më shqetëson të kem një djalë, sepse mendoj se sugjeron një pamje të grave që janë objekte dhe jo dikush që duhet respektuar”.
Këshilla për prindërit
Është shumë e rëndësishme që prindërit të kenë dijeni mbi përmbajtjen që ekspozohet fëmija në rrjete sociale.
Ekspertët këshillojnë që së pari ta bëni TikTok-un një platformë personale që fëmija të mos jetë i ekpsozuar ndaj kujtdo që ka akses në këtë rrjet social, por vetëm ndaj miqve të tij. Në këtë mënyrë, fëmija juaj nuk do të dalë si sugjerim tek të panjohurit.
Prindërit gjithashtu mund të aplikojnë opsionin e politikave të ndalimit, në mënyrë që fëmijëve t’u shfaqen vetëm përmbajtje të përshtatshme me moshën e tyre.