Hën, Mar 25, 2024
Banner Top
Banner Top
Dr. Krasniqi: Ndoshta nuk jemi të gjithë heronjë, por jemi të guximshëm!

Gjatë kohës kur e gjithë bota u përballë me armikun e padukshëm COVID-19, mantelbardhët ishin në front të parë.

E në mesin e tyre, këtë eksperiencë e përjetoi edhe Dr. Dafina Krasniqi. Për portalin “Familja Jonë”, Krasniqi tha se pavarësisht frikës, si ajo ashtu edhe të gjithë mantelbardhët po u përmbaheshin një betimi që kishin bërë.

“Kishim edhe ne frikë. Kemi familje, po si të gjithë edhe NE nuk jemi prej guri. Por ndryshe nga të gjithë, kemi bërë një betim. I gjithë stafi mjekësor në vendin tonë ishte në gjendje gatishmërie, gjithmonë në secilën njësi repart e QKMF, ku me të vërtetë nuk e dinim se në çdo cep të saj ekziston frika se mund të marrësh virusin që po “gllabëron” jetë njerëzish. Ndoshta nuk jemi te gjithë heronjë, por jemi të guximshëm. Isha çdo ditë aty, në gjendje gatishmërie, duke punuar me orë shtesë, mes plagëve, krizës nervore, stresit, rrezikshmërisë dhe frikës se kur të shkoj në shtëpi mund të infektojë familjarët e mi”, ka shtuar Krasniqi.

Tutje, Krasniqi ka shtuar se si pasojë e bartjes së mjeteve mborjtëse, ka pasur raste kur edhe ju kanë krijuar plagë në fytyrë.

“Unë dhe kolegët e mi kishim shenja në fytyrë për shkak se maska duhet shtrënguar shumë fortë dhe i mbanim me orë e kur mbaronte dita, ne “zhvisheshim” nga to. Së pari me kujdes të shtuar dezinfektonim dorëzat, pastaj largonim mjetet mbrojtëse. Për shumë nga ne, mjekë dhe infermierë nga frika se mund të infektojmë familjet tona, zgjedhnim që në fund të një dite sfilitëse të mos qëndrojmë e as të pushojmë të qetë me familje, por të distancuar nga ta”, ka thënë ajo.

Ajo madje ndihet krenare që ka arritur të shërbejë në një situatë të tillë, teksa kërkon që të mos mungojë respekti për të gjithë ata që ushtrojnë këtë profesion si dhe profesione të tjerë.

“Po i përfundojmë 3 muaj pandemi, por do të na presin sfida të tjera. Në ditë normale kemi njerëz që aksidentohen, që sëmuren, që infektohen, por është shumë e rëndësishme të kuptojmë se balancat e shoqërisë sonë janë kur respektohet çdo profesion. Nuk ka rëndësi nëse je një i alkoolizuar, me AIDS, ke abortuar një fëmijë, je një nënë adoleshente, ke kancer, një infermier e një mjek gjithmonë do të kujdeset për ty. Andaj të respektojmë arkitektët dhe inxhinierët kur bie tërmeti, infermierët dhe mjekët kur ka pandemi, apo ata që menaxhojnë qytetin e na sigurojnë neve si policët, zjarrfikësit, që kanë dhe duken si punë rutinë, por pa të cilat nuk do e kishim një jetë normale dhe të qetë.

Faleminderit Zotit që ma dha shëndetin e plotë dhe ndihem shumë krenare që isha në këtë kohe pranë popullit dhe i shërbeva vendit sikur edhe tjera herë kur ishim në ditë normale”, ka thënë Krasniqi për portalin “Familja Jonë”.

Youtube

Arkiva

Kategoritë