Gjakderdhja jo normale e mitrës është çfarëdo gjakderdhje e rëndë ose e pazakontë nga mitra (përmes vaginës). Kjo mund të ndodhë në çdo kohë gjatë ciklit tuaj mujor si dhe gjatë periudhës normale menstruale.
Simptomat e gjakderdhjes jonormale të mitrës
Gjakderdhja vaginale midis periudhave është një simptomë e gjakderdhjes jo normale të mitrës. Të pasurit gjakderdhje jashtëzakonisht të rëndë gjatë menstruacioneve mund të konisderohet gjithashtu gjakderdhje jo normale e mitrës. Gjakderdhje shumë e rëndë gjatë një periudhe ose gjakderdhje që zgjatë më shumë se 7 ditë quhet menorragji. Për shembull, gratë mund të kenë gjakderdhje aq sa të thithin një ose më shumë tamponë apo peceta higjienike çdo orë.
Çfarë e shkakton gjakderdhjen jonormale të mitrës?
Një shumëllojshmëri e gjërave mund të shkaktojnë gjakderdhje jo normale të mitrës. Shtatëzania është një shkak i zakonshëm. Polipet ose fibroidet (rritje të vogla dhe të mëdha) në mitër mund të shkaktojnë gjithashtu gjakderdhje. Rrallë herë, problemet e tiroides, infeksioni i qafës së mitrës ose kanceri i mitrës mund të shkaktojnë gjakderdhje jonormale të mitrës.
Tek shumica e grave, gjakderdhja jo normale e mitrës shkaktohet nga një mosbalancim i hormoneve. Kur hormonet janë problemi, mjekët e quajnë problemin gjakderdhje jofunksionale e mitrës, ose ‘DUB’. Gjakderdhja jo normale e shkaktuar nga mosbalancimi i hormoneve është më i zakonshëm tek adoleshentet ose tek gratë që po i afrohen menopauzës.
Këto janë vetëm disa nga problemet që mund të shkaktojnë gjakderdhje jo normale të mitrës. Këto probleme mund të ndodhin në çdo moshë, por shkaku i mundshëm i gjakderdhjes jonormale të mitrës zakonisht varet nga mosha juaj.
Gratë në adoleshencë, në të 20-at dhe në të 30-at
Një shkak i zakonshëm i gjakderdhjes jo normale tek gratë e reja dhe adoleshentet është shtatzënia. Shumë gra kanë gjakderdhje jonormale në muajt e parë të një shtatzënie normale. Pilulat kontraceptive ose pajisja intrauterine (IUD) mund të shkaktojnë gjakderdhje jo normale.
Disa gra të reja që kanë gjakderdhje jo normale të mitrës nuk lëshojnë vezë nga vezoret e tyre gjatë ciklit menstrual. Kjo është e zakonshme për adoleshentet që sapo kanë filluar të kenë menstruacionet. Kjo shkakton një çekuilibër të hormoneve ku estrogjeni në trupin tuaj e bën veshjen e brendshme të mitrës suaj (të quajtur endometrium) të rritet deri sa të bëhet shumë e trashë. Kur trupi juaj e largon këtë shtresë gjatë menstruacioneve, gjakderdhja do të jetë shumë e rëndë. Një çekuilibër i hormoneve mund të bëjë që trupi juaj të mos e dijë kur duhet të largojë shtresën. Kjo mund të shkaktojë gjakderdhje të parregullt “vende -vende” ndërmjet menstruacioneve.
Gratë në të 40-at dhe në fillim të 50-ave
Në vitet para menopauzës dhe kur fillon menopauza, gratë kanë muaj kur nuk ovulojnë. Kjo mund të shkaktojë gjakderdhje jo normale të mitrës, duke përfshirë menstruacione të rënda dhe gjakderdhje më të lehta dhe të parregullta.
Trashja e veshjes së brendshme të mitrës është një tjetër shkak i gjakderdhjes te gratë në të 40-at dhe të 50-at. Kjo trashje mund të jetë një paralajmërim për kancerin e mitrës. Nëse keni gjakderdhje jo normale të mitrës dhe jeni në këtë grupmoshë, duhet t’i tregoni mjekut tuaj për këtë. Kjo mund të jetë pjesë normale e moshës, por është me rëndësi që të siguroheni që kanceri i mitrës nuk është shkaku.
Gratë pas menopauzës
Terapia e zëvendësimit të hormoneve është një shkak i zakonshëm i gjakderdhjes së mitrës pas menopauzës. Shkaqe të tjera përfshijnë kancerin endometrial dhe të mitrës. Këto kancere janë më të zakonshme tek gratë e moshuara sesa tek gratë e reja. Por kanceri nuk është gjithmonë shkaku i gjakderdhjes jo normale të mitrës. Shumë probleme të tjera mund të shkaktojnë gjakderdhje pas menopauzës. Për këtë arsye, është e rëndësishme të bisedoni me mjekun tuaj nëse keni ndonjë gjakderdhje pas menopauzës.
Si diagnostikohet gjakderdhja jonormale e mitrës?
Testet që i urdhëron mjeku juaj mund të varen nga mosha juaj. Nëse mund të jeni shtatzënë, mjeku juaj mund të urdhërojë testin e shtatzënisë. Nëse gjakderdhja juaj është e rëndë, përveç testeve të tjera, mjeku juaj mund të dëshirojë të kontrollojë pasqyrën tuaj të gjakut për të siguruar që nuk keni një numër të ulët të elementeve të gjakut nga humbja e gjakut. Kjo mund të çojë në mungesë hekuri dhe anemi.
Një ekazaminim me ultratinguj i zonës suaj të legenit tregon mitrën si dhe vezoret. Gjithashtu mund të tregojë shkakun e gjakderdhjes.
Mjeku juaj mund të dëshirojë të bëjë një biopsi endometriale. Kjo është një analizë e veshjes së brendshme të mitrës. Bëhet duke vënë një tub hollë plastike në mitrën tuaj. Mjeku juaj do të përdorë kateterin për të hequr një pjesë të vogël të veshjes së brendshme të mitrës. Ai ose ajo do të dërgojë atë shtresë në laborator për testim. Testi do të tregojë nëse keni kancer ose ndryshime në qeliza. Biopsia mund të bëhet në klinikën e mjekut dhe shkakton vetëm dhimbje të lehtë.
Një tjetër test është një histeroskopia. Një tub i hollë me një kamerë të vogël në të vihet në mitër. Kamera lejon mjekun të shikojë brenda mitrës tuaj. Nëse shfaqet ndonjë gjë jonormale, mjeku mund të bëjë një biopsi.
A mund të parandalohet apo evitohet gjakderdhja jo normale e mitrës?
Nëse gjakderdhja jo normale e mitrës shkaktohet nga ndryshimet hormonale, nuk do të mund ta parandaloni. Por nëse ndryshimet tuaja hormonale janë shkaktuar nga mbipesha, humbja e peshës mund të ju ndihmojë. Pesha juaj ndikon në prodhimin e hormoneve. Ruajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë në parandalimin e gjakderdhjes jo normale të mitrës.
Trajtimi i gjakderdhjes jo normale të mitrës
Ka disa mundësi trajtimi për gjakderdhje jonormale. Trajtimi juaj do të varet nga shkaku i gjakderdhjes, mosha juaj dhe nga dëshira për të mbetur shtatzënë. Mjeku juaj do t’iu ndihmojë të vendosni se cili trajtim është i duhuri për ju. Ose, nëse mjeku juaj vendos që një çekuilibër i hormoneve po shkakton gjakderdhje jonormale, mjeku mund të iu udhëzojv të prisni dhe të shihni nëse gjakderdhja përmirësohet më vete. Disa nga opsionet e trajtimit përfshijnë:
Pajisja intrauterine (IUD). Mjeku juaj mund të sugjerojë një ‘IUD’. Një IUD është një pajisje e vogël, plastike që mjeku juaj fut në mitër përmes vaginës për të parandaluar shtatzëninë. IUD liron hormonet dhe mund të reduktojë konsiderueshëm gjakderdhjen jo normale. Ashtu si pilulat kontraceptive, ndonjëherë IUD-të mund të shkaktojnë gjakderdhje jo normale. Tregoni mjekut tuaj nëse kjo ju ndodh.
Pilulat kontraceptive. Pilulat kontraceptive përmbajnë hormone që mund të ndalojnë trashjen e veshjes së brendshme të mitrës. Ato gjithashtu mund të ndihmojnë për të mbajtur ciklin tuaj menstrual të rregullt dhe për të zvogëluar dhimbjet e barkut. Disa lloje të pilulave të kontrollit të lindjes, sidomos pilulat vetëm progestin (të quajtur edhe “mini pilula”) mund të shkaktojnë gjakderdhje jo normale për disa gra. Lajmërojeni mjekun tuaj nëse pilula që po merrni nuk kontrollon gjakderdhjen jonormale.
Një D&C, ose dilatim dhe kyretim. Një D&C është një procedurë në të cilën hapja e qafës së mitrës është e zgjatur mjaftueshëm sa për të vendosur mjetin kirurgjik në mitër. Mjeku juaj e përdor këtë mjet për të hequr veshjen e brendshme të mitrës. Veshja e brendshme e larguar kontrollohet në laborator për inde jo normale. Një D&C bëhet nën anestezi të përgjithshme (derisa ju jeni në gjendje si të gjumit).
Nëse keni gjakderdhje të rëndë, mjeku juaj mund të kryejë një D&C për të zbuluar problemin si dhe për të trajtuar gjakderdhjen. Vetë D&C shpesh ndalon gjakderdhjen e rëndë. Mjeku juaj do të vendosë nëse kjo procedurë është e nevojshme.
Histerektomia. Ky lloj i operacionit kirurgjik largon mitrën. Nëse keni histerektomi, nuk do të keni më menstruacione dhe nuk do të jeni në gjendje të mbeteni shtatzënë. Histerektomia është një operacion i madh që kërkon anestezi të përgjithshme dhe qëndrim spitalor. Mund të kërkojë një periudhë të gjatë shërimi. Bisedoni me mjekun tuaj për rreziqet dhe përfitimet nga histerektomia.
Abllacioni i endometriumit është një procedurë kirurgjikale që shkatërron veshjen e brendshme të mitrës. Ndryshe nga një histerektomia, ajo nuk heq mitrën. Abllacioni i endometriumit mund të ndalojë të gjitha gjakderdhjet menstruale te disa gra. Megjithatë, disa gra ende kanë gjakderdhje menstruale të lehta ose vende-vende pas abllacionit të endrometriumit. Disa gra kanë periudha të rregullta menstruale pas procedurës. Gratë që kanë abllacion të endometriumit ende kanë nevojë të përdorin një formë të kontrollit të lindjes edhe pse në shumicën e rasteve, shtatzënia nuk ka gjasa të ndodhë pas procedurës.
Mjeku juaj mund të bëjë abllacion të endrometriumit në mënyra të ndryshme. Teknikat më të reja të abllacionit të endrometriumit nuk kërkojnë anestezi të përgjithshme ose qëndrim spitalor. Koha e shërimit pas kësaj procedure është më e shkurtër se koha e shërimit pas një histerektomie.
Të jetosh me gjakderdhje jo normale të mitrës
Gjakderdhja jo normale e mitrës mund të ndikojë jetën tuaj në mënyrë negative. Duke mos qenë në gjendje të parashikoni se kur gjakderdhja mund të fillojë, mund t’iu bëjë të jeni të shqetësuar gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, gjakderdhja e rëndë menstruale mund të kufizojë aktivitetet e juaja ditore gjatë menstruacioneve. Disa grave i pengon që të largohen nga shtëpia.
Nëse keni gjakderdhje të rëndë menstruale, provoni të merrni ibuprofen (Advil, Motrin) gjatë menstruacioneve (ose disa ditë para menstruacioneve). Ibuprofen-i është një ilaç anti-inflamator jo steroidal (NSAID). NSAID-të mund të punojnë për të zvogëluar gjakderdhjen gjatë periudhës tuaj menstruale.
Gjithashtu duhet të siguroheni që po merrni hekur të mjaftueshëm në dietën tuaj. Mjeku juaj mund të këshillojë një shtesë hekuri për të siguruar që ju të mos bëheni anemikë.