Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
24 familje të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, janë shfrytëzuar si “minj eksperimental”, nga Spitali ‘Zan Mitrev’ në Shkup

Hulumtimi i gazetarëve të IRL-së tregon se spitali privat i cili ka pranuar më së shumti pacientë gjatë pandemisë së Covid-19 dhe në të cilën mjekimi ka kushtuar dhjetëra mijëra euro, e ka zbatuar metodën e hemofiltrimit (pastrimit të gjakut) e cila praktikisht ka qenë studim klinik. Në kundërshtim me ligjin, studimet klinike nuk janë paraqitur dhe miratuar nga MALMED, transmeton Portalb.mk.

Në publikimet shkencore të publikuara në bazë të studimeve klinike në “Zhan Mitrev”, shkruan edhe se një pjesë e madhe e pacientëve kanë marrë infeksione interhospitale gjatë kohës së mjekimit. Atë e konfirmojnë edhe një pjesë të familjarëve të pacientëve të vdekur në spital. Sipas Qendrës për Shëndet Publik – Shkup, Klinika “Zhan Mitrev” asnjëherë nuk ka paraqitur paraqitje të infeksioneve interhospitale, edhe pse sipas ligjit duhet t’i njoftojë organet shtetërore.

Për rastin në fjalë, Prokuroria ka nisur hetim.

“Ndjehem e mashtruar, manipuluar, jeta më është shkatërruar”. Këto janë fjalët e Melita Brezeva, bashkëshortja e Nikolla Brezev – pacient i cili ka ndërruar jetë në klinikën “Zhan Mitrev”, pasi që është pranuar për mjekim nga Covid-19. Ajo tregon se mjekimi kundër Covid-19 ka filluar mirë, derisa bashkëshorti i saj ka marrë një sërë infeksionesh interhospitale, dhe personeli ka filluar t’i bëjë hemofiltrim (pastrim të gjakut).

Brezeva thotë se as kanë pasur informata të mjaftueshme për hemofiltrimin, as spitali s’ka qenë transparent për infeksionet interhospitale, madje edhe nuk ka ditur se prej çka e shërojnë bashkëshortin e saj – nga kovidi apo bakteret me të cilat është infektuar në spital.

Ekipi i gazetarëve ka biseduar edhe me mbi 20 familje, të afërmit e të cilëve kanë ndërruar jetë në spital dhe kanë marrë dëshmi të njëjta ose të ngjashme. Kur kanë filluar të mbledhin qëndrime dhe dokumente nga institucionet që janë kompetente për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e pacientëve, IRL ka ardhur në dy njohuri kryesore:

  1. Metoda e hemofiltrimit në mjekimin e të sëmurëve të cilin e zbaton klinika “Zhan Mitrev” në fakt është studim klinik, edhe pse spitali për atë ka paguar dhjetëra mijëra euro. Ligjërisht, studimi/et patjetër duhet të paraqiten dhe miratohen nga MALMED (Agjencia për Barna dhe Mjete Mjekësore të RMV-së).
  2. Në studimet shkencore të mjekëve nga klinika “Zhan Mitrev” (përfshirë edhe doktorin Zhan Mitrev) të publikuara në bazë të “studimeve klinike” thuhet se një numër i ndjeshëm i pacientëve kanë marrë infeksione interhospitale. Ligjërisht, klinika patjetër duhet ta njoftojë Qendrën për Shëndet Publik për infeksionet.

Por, klinika “Zhan Mitrev”, sipas njoftimit nga IRL, asnjëherë nuk ka kërkuar miratim të studimit nga MALMED e as gjatë kohës së pandemisë nuk ka njoftuar se në spital ka pasur infeksione interhospitale. Përkundrazi, klinika dhe mjeku Zhan Mitrev, në opinion e kanë paraqitur hemofiltrimin si metodë të provuar me rezultate të shkëlqyera që sjellë numër të madh të pacientëve (dhe parave) gjatë kohës së pandemisë.

Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se “Zhan Mitrev” nuk ka paraqitur asnjë infeksion interhospital gjatë kohës së pandemisë. Të paktën një paraqitje e tillë ka arritur deri te Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe institucioni ka iniciuar mbikëqyrje inspektuese deri te ministri i Shëndetësisë, por nuk kanë marrë informatë nëse inspektimi ndonjëherë është kryer.

Në regjistrin e MALMED, gazetarët e IRL-së nuk gjetën asnjë miratim për studimet klinike që i ka bërë klinika “Zhan Mitrev” për mjekimin e pacientëve me kovid-19 me hemofiltrim.

“Ligji është i qartë. Për çdo studim klinik duhet që të merret miratim nga MALMED. Askush s’guxon të merret me diçka të tillë. Pa leje për vozitje, të vozisni autobus… Kështu që, do të sanksionohen sipas të gjitha gjasave të gjitha institucionet që ndërmarrin aktivitete në atë drejtim”, theksoi Lirim Shabani, drejtori i MALMED.

Në filmin dokumentar ka intervistë edhe me mjekun Zhan Mitrev. Për infeksionet interhospitale ai thotë se ka pasur edhe pse në disa momente nuk është 100% i sigurt, thotë se i ka paraqitur në institucionet përkatëse.

“Shihni, kishte shumë pacientë me shumë baktere, do të thotë çdo ditë…
IRL: por asnjë nuk është paraqitur, zotëri Mitrev, a mundeni këtë ta kontrolloni?
Ajo patjetër duhet të kontrollohet, nuk më besohet se nuk është paraqitur… Unë jam i sigurt se janë paraqitur, megjithatë do të kontrolloj”, thotë mjeku Zhan Mitrev.

Zhan Mitrev, foto IRL
Zhan Mitrev, foto IRL

Për zbatimin e hemofiltrimit për mjekim të pacientëve me Covid-19, Mitrev në disa dalje publike gjatë kohës së pandemisë thotë se kjo metodë është e miratuar nga Agjencia për Barna dhe Ushqim e SHBA-së – FDA. Nga kontrolli në miratimin, gazetarët e IRL-së konkludojnë se metoda është miratuar vetëm për raste jashtëzakonisht të rënda, dhe jo për pacientët me formë të lehtë ose të rëndë të sëmundjes.

“Ne të parët filluam edhe shumë më herët ta kontrollojmë interleukinin si një prej mediatorëve të aktivizimit të infeksionit në organizëm. Ne atë e sollëm në praktikë të përditshme. Dhe parandaluam të arrihej deri te sepsa. Nëse vetëm se vjen sepsa, atëherë hemofiltrimi ka mundësi më të kufizuara. Në pyetjen tuaj…
IRL: Domëthënë vlerësoni se hemofiltrimi mund të jepet përpara se të bëhet “stuhia citokine”.
Absolutisht ai është indikacioni i parë… nëse ju e kapni mekanizmin përpara se të krijohet, atëherë është indikacioni i vërtetë për hemofiltrim. Atë e shohim në praktikën tonë të përditshme.
IRL: Nëse vlerësoni se rekomandimi i FDA-së, pasi ju…
Jo, jo, FDA vetëm e miraton këtë trajtim. Nuk tregon se kur duhet ta kyçni.
IRL: Absolutisht thotë ashtu, thotë se shfrytëzohet vetëm në situata të jashtëzakonshme kur ka gjendje të rëndë.
Të themi për hemofiltrimin për kovid pacientë pas një viti u publikua në Gjermani se ka efekt.
Ku? A mundemi të na jepni link?
Kishte diku në lajme, në Berlin u publikuan se hemofiltrimi është zbatuar te kovid pacientët. Dhe nëse shihni lajme nga jashtë vendit, çdo kujdes intensiv thuajse kishte hemofiltrim afër çdo pacientit”, thotë doktori Zhan Mitrev.

Për t’i verifikuar deklaratat, IRL gjetën një mjek maqedonas i cili për momentin jeton në Gjermani, anesteziologun Filip Atanasovski, i cili punon në repartin infektiv të DRK Klinika – Berlin, ai konfirmoi se hemofiltrimi shfrytëzohet në Gjermani, por vetëm te pacientët me “indikacione”, gjegjësisht tek ato që për shembull kanë spesë. Në forma e sëmundjes nuk është e rëndë, thotë Atanasovski, nuk përdoret.

Në intervistë, drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, thotë se metoda e hemofiltrimit asnjëherë nuk është vendosur në asnjë protokoll për mjekim nga kovid-19.

IRL publikoi edhe statistikë sipas të cilave, gjatë vitit 2021, shkalla e vdekshmërisë së pacientëve në Klinikën Infektive ka qenë 26%, ndërkaq në klinikën “Zhan Mitrev” ku është përdorur metoda e hemofiltrimit te të sëmurët me kovid qe qenë 28%.

Prokuroria pas publikimit të storjes hulumtuese ka hapur lëndë.

“Menjëherë pas publikimit të emisionit dokumentar, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka formuar lëndë në bazë të instrumentit me të dëgjuar, të parashikuar në Ligjin për Procedurë Penale. Lënda është shpërndarë te prokurori kompetent i cili do të ndërmarrë veprime për kontroll të gjetjeve prej të cilave dalin indikacione për veprën penale kundër shëndetit të njerëzve”, thanë nga Prokuroria për “360 Gradë”.

Pas publikimit të hulumtimit gazetarët e IRL-së kanë marrë qindra paraqitje të reja nga qytetarët . Siç thotë për Meta.mkSasha Cvetkovska, themeluese dhe kryeredaktore e IRL-së, ata janë falënderuar që qytetarët janë inkurajuar që të kyçen në zbulimin e praktikave të pandershme me të cilat me vite drejtpërdrejtë i rrezikojnë jetët e njerëzve.

“Kemi marrë më shumë se 150 paraqitje të reja nga qytetarët të cilat kanë pasur përvojë të njëjtë ose të ngjashme. Paraqitjet kanë të bëjnë edhe me shërimin dhe trajtimin në spitale tjera private dhe shtetërore, dhe jo vetëm në spitalin “Zhan Mitrev”, thotë Cvetkovska.

Ajo ka theksuar se duke filluar prej sot, por edhe në periudhën e ardhshme, ekipi i IRL-së do të fokusohet që t’i kontaktojë të gjithë qytetarët të cilët janë drejtuar deri te redaksia, duke shtuar se IRL është e përbërë nga një ekip i vogël i gazetarëve dhe çdo ndihmë prej mediave tjera është e mirëseardhur.

“Ne nuk kemi fuqi përveç fjalëve tona dhe punës, ne nuk jemi MPB dhe Prokurori, por presim që institucionet kompetente t’i mbrojnë njerëzit dhe përfundimisht dikush të merret me këto njerëz në institucione të cilët çdo ditë i shohin dhe i heshtin këto krime ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve”.

Sot në seancën e 61-të, Qeveria e ka ngarkuar Ministrinë e Shëndetësisë që brenda dy ditësh të dorëzojë informacion për të shqyrtuar në detaje informacionet në storjen e publikuar.

Hulumtimi “Gjaku i papastër” bazohet në 24 paraqitje të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sipas të cilave pacientët janë shfrytëzuar si “minj eksperimental” dhe duke u marr shuma marramendëse para dhe pa i njoftuar se janë pjesë e një studimi mjekësor.

Gjithashtu IRL zbuloi se Zhan Mitrev është një akademik i rremë dhe shumica e mirënjohjeve me të cilat ai mburret mund të blihen me para.

Youtube

Arkiva

Kategoritë