Deficiti i vëmendjes dhe çrregullimi hiperaktiv (ADHD) është një grup sjelljesh. Më herët është quajtur çrregullim i mungesës së vëmendjes (ADD). ADHD është e zakonshme tek fëmijët dhe të rriturit. Njerëzit që kanë ADHD kanë problem për të kushtuar vëmedje në shkollë, punë ose në shtëpi. Edhe kur përpiqen të përqëndrohen, ata e kanë të vështirë të kushtojnë vëmendje.
Shumica e asaj që dëgjojmë rreth ADHD është mënyra se si kjo ndikon tek fëmijët. Megjithatë, edhe të rriturit mund të kenë ADHD. Kjo është më e zakonshme tek meshkujt.
Simptomat e ADHD tek të rriturit
Të rriturit që kanë ADHD kanë më shumë gjasa të jenë të hutuar, të pakujdesshëm ose impulsivë. Dikush që e ka të vështirë të kushtojë vëmendje mund të ketë ADHD të rriturish nëse kanë 6 ose më shumë simptoma të mëposhtme.
- Vështirësi në ndjekjen e udhëzimeve
- Vështirësi në përqëndrim në aktivitetet në shkollë, në punë dhe/ose në shtëpi
- Lëvizje nga një gjë në tjetrën, ndonjëherë pa përfunduar të parën
- Humb shpesh gjëra
- Duket të mos dëgjojë
- Nuk kushton vëmendje detajeve
- Duket i/e ç’organizuar
- Probleme me detyrat që kërkojnë planifikim përpara
- Frenon gjërat
- Hutohet lehtë
Dikush që është impulsiv mund të ketë ADHD të rriturish nëse ata kanë simptomat e mëposhtme
- Merr vendime shpejt, shpesh pa i menduar mirë ato.
- Ndërpret njerëzit.
- Bisedon shumë.
- Nuk e zë vendi vend.
- Është gjithmonë në lëvizje.
- Është i paduruar ose ka vështirësi për të pritur radhën e tij/saj.
Çfarë shkakton ADHD të rriturish?
Njerëzit që kanë ADHD nuk furnizohen me kimikate të mjaftueshme në pjesë të caktuara të trurit që ndihmojnë në organizimin e mendimeve. Kjo mendohet të jetë shkaku i ADHD. Mungesa e kimikateve mund të jetë për shkak të gjeneve të një personi. Hulumtimet tregojnë se ADHD është më e zakonshme tek njerëzit që kanë një anëtar të ngushtë të familjes me këtë çrregullim. Kërkimet e fundit lidhin duhanin dhe abuzime të tjera me substanca gjatë shtatëzanisë me ADHD. Ekspozimi ndaj toksinave mjedisore, si plumbi, gjithashtu mund të jetë një faktor.
Si diagnostikohet ADHD i të rriturve?
Një person i diagnostikuar me ADHD do të ketë patur simptoma për të paktën 6 muaj. Ju mund të keni pasur ADHD si fëmijë, ose mund të ketë kaluar e padiagnoztifikuar. Disa të rritur që kanë ADHD mund të diagnostikohen kur të kuptojnë se fëmijët e tyre kanë ADHD.
Bisedoni me mjekun tuaj nëse vëreni sinjale të vazhdueshme të ADHD të rritursh. Ata do të diskutojnë simptomat, mënyrën e jetesës dhe shëndetin e përgjithshëm. Për t’u diagnostikuar me ADHD të të rriturve, duhet të keni patur simptoma para moshës 12 vjeç.
A mund të parandalohen apo shmangen ADHD të rriturish?
Ju nuk mund të parandaloni ose shmangni ADHD të rriturish.
Trajtimi i ADHD
Të rriturit që kanë ADHD mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave. Opsionet e trajtimit përfshijnë medikamente, terapi, dhe/ose ndryshimet e jetesës.
Medikamentet
Një lloj i ilaçeve që përdoren për të trajtuar ADHD quhen psikostimulantë. Kjo përfshin metilfenidatet, dekstroamfetaminen, dhe një ilaç që kombinon dekstroamfetaminen dhe amfetaminën. Këto ilaçe kanë një efekt stimulues në shumicën e njerëzve. Megjithatë, ato kanë një efekt qetësues në njerëzit që kanë ADHD. Këto barna përmirësojnë vëmendjen dhe përqendrimin, dhe ulin sjelljet impulsive dhe tepër aktive. Mjeku juaj mund të marrë në konsideratë ilaçe të tjera jo stimuluese, të tilla si atomoksetin, klonidinin, desipraminën, imipraminën ose bupropionin.
Të gjitha barnat kanë efekte anësore. Psikostimulantët mund të ulin oreksin tuaj dhe të shkaktojnë dhimbje stomaku ose dhimbje koke. Humbja e oreksit mund të shkaktojë humbje peshe të paplanifikuar në disa njerëz. Ky efekt anësor duket të jetë më i zakonshëm tek fëmijët. Disa njerëz kanë pagjumësi (probleme me gjumin). Efekte të tjera të mundshme anësore përfshijnë rrahje të shpejtë të zemrës, dhimbje gjoksi ose të vjella. Për të shmangur ose zvogëluar efektet anësore të psikostimulantëve, ndiqni këto këshilla:
- Përdorni dozën më të ulët të mundshme që ende kontrollon hiperaktivitetin ose hutimin. Mjeku juaj do t’ju tregojë dozën e duhur
- Merreni ilaçin me ushqim nëse pengon stomakun tuaj
- Mbajeni një dietë të shëndetshme
- Pyetni mjekun tuaj nëse mund të shmangni marrjen e ilaçeve gjatë fundjavave
- Nëse merrni një ilaç me veprim të gjatë, mos e shtypni, thërrmoni, ose përtypni para se ta gëlltitni atë
Është e rëndësishme për të marrë ilaçin ashtu siç e përshkruan mjeku juaj. Ndiqni këshillat e tyre, edhe nëse mendoni se ilaçi nuk është duke punuar. Medikamentet që përdoren për të trajtuar ADHD tregohen për të përmirësuar aftësinë e një personi për të kryer detyra specifike. Kjo përfshin të kushtuarit vëmendje ose të pasurit më shumë vetëkontroll. Gjatësia e kohës që një person do të duhet të marrë ilaç varet nga secili person. Disa njerëz kanë nevojë për të marrë ilaçe për vetëm 1-2 vjet. Të tjerë kanë nevojë për trajtim për shumë vite të tjera.
Terapi
Nëse mjeku juaj mendon se keni ADHD të rriturish, ata mund të sugjerojnë terapi. Kjo mund të përfshijë këshillime individuale dhe/ose grupe mbështetëse. Mjeku juaj gjithashtu mund të rekomandojë testimin dhe këshillimin me dikë që specializon në trajtimin e ADHD. Ju mund të mësoni mënyra për të ndryshuar mjedisin tuaj të punës dhe për të mbajtur shpërqëndrimet në minimum. Mjetet organizative mund t’ju ndihmojnë të mësoni se si të fokusoheni në aktivitetet në punë dhe në shtëpi. Shumë njerëz që kanë ADHD gjejnë këshillim të dobishëm.
Ndryshimet e jetesës
Është e rëndësishme të bëni disa ndryshime personale për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes tuaj. Këto mund të përfshijnë:
- Vendosja e një orari dhe përmbajtja ndaj tij. Duke pasur një orar të caktuar, mund të ju mbajë të organizuar, fokusuar dhe në rrugën e duhur.
- Mendoni para se të veproni. Nëse e dini që tentoni të jeni impulsiv, përpiquni të vendosni më shumë mendime në vendime. Mendoni për pro dhe kundër, si dhe rreziqet ose pasojat e mundshme. Mendoni se si ai vendim mund të prekë të tjerët, jo vetëm veten.
- Ruajtja e një rutine të shëndetshme dhe të harmonizuar. Mundohuni të jeni në përputhje me dietën, stërvitjen dhe gjumin tuaj. Shmangni substancat ose situatat që shkaktojnë veprime negative.
Të jetosh me ADHD të rriturish
Njerëzit që kanë ADHD duhet të vizitojnë mjekun e tyre për kontrolla të rregullta. Një jetë me sjellje të ADHD mund të shkaktojë probleme sociale, të tilla si vetëbesimi i ulët, vështirësitë për të mësuar ose punuar, dhe probleme me marrëdhënie të ndryshme. ADHD mund t’ju bëjë të rrezikuar nga varësia. Disa njerëz që kanë ADHD mund të kenë probleme me fjetje ose ngrënie. Ata mund të kenë edhe probleme shëndetësore të ngjashme. Këto mund të përfshijnë:
- ankth
- depresion
- çrregullim bipolar
- çrregullimi sfidues kundërshtues (ODD)
- sindromin Tourette