Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Çfarë duhet të dini për injeksionet e testosteronit?

Edhe meshkujt mund të përjetojnë çekuilibër dhe mangësi hormonale, të cilat mund të ndikojnë në rritjen, zhvillimin, sistemin riprodhues dhe shëndetin fizik dhe mendor të tyre.

Çfarë është testosteroni?

Testosteroni është hormoni seksual mashkullor mbizotërues, ku fillon të prodhohet në sasi më të mëdha kur djemtë arrijnë pubertetin dhe është përgjegjës për pjekurinë e karakteristikave seksuale sekondare mashkullore.

Ndër të tjera, testosteroni vazhdon të prodhohet gjatë gjithë jetës së një mashkulli dhe ndihmon në ruajtjen e masës muskulore, masës kockore, dëshirës seksuale, prodhimit të spermës dhe prodhimit të qelizave të kuqe të gjakut.

Cilat janë shenjat e testosteronit të ulët?

Shenjat e testosteronit të ulët ndryshojnë sipas moshës. Tek adoleshentët, testosteroni i ulët mund të duket si më poshtë:

– Shenjat e vonuara të pubertetit, duke përfshirë testikujt që nuk tregojnë shenja pjekurie, pa zgjerim ose zgjatje të penisit dhe mungesë qimesh pubike ose të fytyrës;

– Nuk ka shenja të pubertetit deri në moshën 14 vjeçare;

Ndërsa tek të rriturit, shenjat e testosteronit të ulët mund të përfshijnë:

– Ulje e dëshirës seksuale;

– Numri i ulët i spermës;

– Disfunksioni erektil;

– Lodhje dhe depresion;

– Rënie e masës muskulore.

Është normale që nivelet e testosteronit të ulen ndërsa plakeni. Shenjat që tregojnë se nivelet e testosteronit mund të shkaktojnë një problem për ju përfshijnë: dëshirë e ulët seksuale, mosfunksionim erektil ose impotencë, lodhje ekstreme, pamundësia për t’u përqendruar, humor i ulët dhe masa e ulët e muskujve.

Si të dini nëse injeksionet e testosteronit janë të duhura për ju?

Injeksionet e testosteronit (testosteroni sintetik i injektuar te pacientët në një përpjekje për të rritur nivelet e testosteronit) janë një mënyrë e dobishme për të rritur nivelet e testosteronit tek dikush që ka mangësi.

Në të njëjtën kohë, ato nuk janë për të gjithë dhe shumë ekspertë rekomandojnë të bëni kujdes dhe të mos mbi-përshkruani terapinë e injektimit të testosteronit.

Në përgjithësi, injeksionet e testosteronit përdoren në disa skenarë specifikë: puberteti i vonuar, disfunksioni erektil/impotencë dhe pabarazitë hormonale që shkaktojnë probleme mjekësore.

Mirëpo, në anën tjetër, ekspertët në përgjithësi nuk rekomandojnë që injeksionet e testosteronit të përdoren për: rritjen e performancës atletike, përmirësimin e disponimit, uljen e lodhjes dhe efekteve natyrore të plakjes.

Cilat janë rreziqet shëndetësore të injeksioneve të testosteronit?

Çdo mashkull me një histori të kancerit (prostatës ose gjirit) nuk duhet të përdorë injeksione testosteroni.

Injeksionet e testosteronit mund të rrisin rrezikun e sulmit në zemër, veçanërisht nëse jeni më i vjetër, kështu që njerëzit me sëmundje kardiake duhet të shmangin injeksionet e testosteronit.

Cilat janë efektet anësore të injektimit të testosteronit?

Rrallëherë, injeksionet e testosteronit mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Shenjat e një reaksioni alergjik ndaj një injeksioni të testosteronit përfshijnë: koshere, ënjtje e fytyrës, buzëve, gjuhës, gojës dhe fytit, frymëzënie, dhe kollitje.

Përveç kësaj, reaksione të tjera të padëshiruara për t’u kujdesur përfshijnë: Dhimbje gjoksi, dhimbje/presion në gjoks që përhapet në nofullën dhe shpatullën tuaj, vështirësi në frymëmarrje, konvulsionet, ndryshime të papritura të humorit, edemë (ënjtje) e këmbëve dhe kyçeve, urinim i dhimbshëm.

Po ashtu mund të keni edhe:

– Shenjat të mpiksjes së gjakut (skuqje në krahë/këmbë, ënjtje, frymëmarrje të shpejtë, dhimbje gjoksi);

– Shenjat e një goditjeje (dhimbje koke e shoqëruar me të folur të paqartë dhe probleme të ekuilibrit).

Nëse keni ndonjë nga këto simptoma, telefononi menjëherë mjekun tuaj ose drejtohuni në dhomën më të afërt të urgjencës. /Very Well Family

Youtube

Arkiva

Kategoritë