Albina Selmanaj
Balloni gastrik është një tullumbace e punuar nga silikoni dhe e mbushur me tretje fiziologjike, e cila vendoset në stomak për t’i ndihmuar njerëzit që të humbin peshë në rastet kur dietat dhe aktiviteti fizik nuk kanë funksionuar.
Për të folur më shumë rreth këtij intervenimi, Familjajonë ka intervistuar gastroenterologun, Visar Zekaj, i cili tha se vendosja e kësaj ballone gastrike ndihmon njerëzit në zvogëlimin e peshës trupore, por që njëkohësisht ndihmon që edhe pas uljes së peshës të ulë ankesat e refluksit gastroezofageal
“Vendosja e ballonit gastrik në radhë të parë ndihmon njerëzit në zvogëlimin e peshës trupore, njëkohësisht ndihmon që pas uljes së peshës të ulë ankesat e refluksit gastroezofageal, të zvogëlojë mundësinë e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare ( sëmundje këto që paraqiten te personat mbipeshë), për ti ndihmuar pacientët në kontrollin e tensionit arterial, të minimizojë shfaqjen e apnesë, obstruktibe të natës, sëmundjen yndyrore joalkoolike të mëlçisë, të ndihmojë në kontrollin e diabetit melit tip 2. Pra balloni gastrik ndihmon në preventiven e këtyre sëmundjeve dhe menaxhimit më të mirë të tyre. “, tha Zekaj.
Tutje, Zekaj shpjegoi edhe procedurën e vendosjes së ballonit, procedurë e cila sipas tij është mjaft e sigurt dhe përfundohet brenda 20 minutave.
“Procedura e vendosjes së ballonit gastrik është mjaft e sigurt, bëhet me anën e anestezionit, kryhet shpejt brenda 20 minutave maksimalisht. Kjo procedurë bëhet te personat me BMI ndërmjet 30-40, dhe ndihmon në zvogëlimin e 15%, të peshës trupore”, shpjegoi ai.
Efekti i këtij intervenimi sipas Zekaj shihet qysh në muajin e parë, por që kujdes duhet t’i kushtohet vetës pas heqjes së ballonit gastrik sepse mund të shfaqen probleme gastrike.
“Zakonisht efektet pozitive të uljes së peshës shihen qysh në muajin e parë, kurse në varësi të prodhuesve balonat gastrik mbahen nga 6 muaj deri 12 muaj. Kujdes i shtuar duhet ti kushtohet pas heqjes së ballonit gastrik sepse mund të shfaqen probleme gastrike të theksuara nëse nuk ndiqen protokollet e kërkuara.”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket komplikimeve që mund të shkaktojë ky intervenim, Zekaj tha se janë të rralla, por nëse shfaqen atëherë vendosja e ballonit gastrik është kryer pa përgatitjen adekuate paraprake.
“Komplikimet janë mjaft të rralla por që mund të shkaktojë bllokimin dhe që detyrohemi ta hjekim, po ashtu mund të shkaktojë inflamacion të lukthit, pankreasit akut, ulcera të përforcuara (shpërthyera), që mund të kërkojnë intervenim të hapur kirurgjik. Por të gjitha këto komplikime shfaqen kur procedura e vendosjes së ballonit gastrik kryhet pa përgatitjen adekuate paraprake.”, tregoi gastroenterologu.
Ndryshe, për pacientet të cilët janë tepër mbipeshë është e nevojshme që volumi i ballonit të rritet, për të ndihmuar në procesin e rënies nga pesha dhe për të arritur rezultatet më të larta të humbjes së peshës. Ndërsa, për pacientët të cilët dëshirojnë të humbasin vetëm disa kilogramë volumi i ballonit ulet, për të ndihmuar në procesin e arritjes së peshës ideale që dëshiron pacienti.