Një studim i ri i Universitetit të Yale-it ka zgjidhur misterin që na mundonte për një kohë të gjatë mbi mënyrën se si stresi akut dukej të nxiste sëmundjen inflamatore pavarësisht faktit që shumë hormone të stresit në të vërtetë frenojnë sistemin imunitar. Studimi ka zbuluar një qelizë të veçantë të sistemit imunitar, e cila çlirohet nga qelizat dhjamore kur organizmi përballet me një stres sistemik.
Prej disa dekadash lidhja ndërmjet stresit dhe sëmundjes inflamatore ka qenë e qartë, sepse vihej re që shumë sëmundje kronike lulëzonin në periudha të stresit akut. Megjithatë, në thelb të këtij vëzhgimi të qartë qëndronte një paradoks i pashpjegueshëm. Hormonet që çlirohen nga organizmi kur ai përballet me stresin, sikundër kortizoli dhe adrenalina, japin efekte të dukshme imunosupresive, e përsëri në një farë mënyre stresi duket se nxit inflamacionin.
Ky studim buron nga një vëzhgim i ri laboratorik. Marrja e kampionëve të gjakut te minjtë është një proçedurë shumë stresuese dhe shkencëtarët kanë vënë re se kjo lidhej me rritjen e vlerave të interleukinës-6 (IL-6). Rritja e vlerave të IL-6 është e lidhur me sëmundjet autoimmune dhe stresin akut, por mënyra se si ajo çlirohej nuk është studiuar asnjëherë.
Rezultatet e këtij studimi të ri, të përshkruara si “tërësisht të papritura” nga një prej autorëve, zbulojnë se IL-6 çlirohet nga qelizat kafe dhjamore nën ndikimin e stresit akut. Është pikërisht ky mekanizëm imun, i cili nxit inflamacionin kur ne përballemi me situata stresuese. Ndaj, kur bllokohej sinjali ndërmjet trurit dhe qelizave kafe dhjamore te minjtë, kafshët nuk shfaqnin më përgjigje inflamatore kur përballeshin me këto situata stresante.
Por, një pyetje mbetet ende pa përgjigje – cili funksion evolutiv shpjegon pse stresi nxit një mekanizëm kaq të dëmshëm të sistemit imunitar?
Në këtë studim, studiuesit zbuluan se IL-6 luan një rol thelbësor në ndërmjetësimin e hipoglicemisë. Në thelb, kjo ndihmon që të përgatisim trupin për rritjen e prodhimit të glukozës, e nevojshme si karburant për përgjigjen “mbathja ose lufto” (fight or flight). Studimi shpjegon, nga një këndvështrim evolutiv, se “kjo përshtatje vjen me çmimin e rritjes së vdekshmërisë në një sfidë inflamatore pasardhëse”.
Ndaj, këto gjetje ofrojnë rrugë të reja dhe bindëse kërkimore, jo vetëm për disa sëmundje autoimmune, por gjithashtu edhe për shumë çrregullime të shëndetit mendor. Kur IL-6 bllokohej te minjtë, kafshët shfaqnin një pakësim të rëndësishëm të shenjave të axhitimit, duke na sugjeruar se mekanizmat imunë mund të luajnë rol në ankth dhe depresion.
Barnat frenuese të IL-6 tashmë janë të pranishme dhe janë përdorur për të trajtuar gjëndjet autoimmune sikurse është artriti rheumatoid. Tocilizumabi, frenuesi i parë i IL-6, i miratuar nga FDA, është duke u përdorur në studime kërkimore si një bar anti-depresiv i mundshëm.
Studimi është publikuar në revistën Cell.