Për t’i bërë njerëzit të vetëdijshëm për gjëndrën tiroide, 25 Maji, u shënua si Dita Botërore e Tiroides për herë të parë në vitin 2008 nga Shoqata Amerikane e Tiroides (ATA) dhe Shoqata Evropiane e Tiroides (ETA).
Tiroidi është një gjëndër shumë e vogël që prodhon një hormon shumë të rëndësishëm për tërë trupin tonë, tiroksinën. Kur nuk funksionon siç duhet, i gjithë trupi vuan. Në fakt, ky hormon luan një numër të funksioneve vitale të tilla si rregullimin e metabolizmit, të temperaturëss, kontrollin e ritmit të zemrës, zhvillimin e sistemit nervor, rritjen e trupit, forcën e muskujve etj.
Lëkura, thonjtë dhe flokët janë ndër pjesët e para të trupit që preken nga keqfunksionet e tiroides. Nëse ka probleme me tiroiden do të shfaqen probleme edhe në flokë, thonj e lëkurë.
Dy çrregullimet kryesore që ndikojnë në aktivitetin e tiroides janë hipotiroidizmi dhe hiperteroidizmi. Në rastin e parë, tiroidi sekreton hormonet në sasi të pamjaftueshme; ndërsa e kundërta ndodh në rastin tjetër.
Sëmundja e tiroides mund të prekë këdo – burra, gra, foshnje, adoleshentë dhe të moshuar. Mund të jetë i pranishëm në lindje (zakonisht hipotiroidizëm) dhe mund të zhvillohet ndërsa plakeni (shpesh pas menopauzës tek gratë).