Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
A sëmureni shpesh nga angina? -Kujdes këto janë rreziqet!

Sapo të ftohet moti shfaqen infeksionet, inflamacioni i fytit dhe i gurmazit. Nëse nuk shërohen, mund të shkaktohen inflamacione të nyjave dhe veshkave. Madje edhe sepsa.

Dhembja e fytit, temperatura e ngritur, përpirja e vështirësuar, gjëndra të dëmtuara në qafë, janë karakteristike për angjinën.

Edhe pse është e pranishme në çdo periudhë të vitit, më së shumti shfaqet gjatë vjeshtës kur temperaturat ulen, ndërkaq pastaj në pranverën e hershme për shkak të shfaqjes së infeksioneve pikëlore, transmeton Telegrafi.

Angjina është inflamacion i bajameve të gurmazit. Shkaktar janë më së shpeshti bakteri streptokoku betahemolitik, por mund të jenë edhe viruse të ndryshme.

Shfaqet te të gjithë, te fëmijët dhe te të rriturit, por që te vogëlushët më së shpeshti shfaqet në formë të rëndë.

Pos simptomave të zakonshme, te më të rinjtë shfaqet edhe molisja, dobësimi i muskujve dhe të vjellat.

Ndaj angjinës posaçërisht të dobët janë fëmijët prej tre deri në tetë vjet.

Si transmetohet infeksioni dhe a është e vështirë të diagnostikohet?

Përhapet nëpërmjet piklave, frymëmarrjes, kollitjes, teshtitjes. Periudha e inkubacionit prej momentit të infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave zakonisht është dy deri në tri ditë.

Ndonjëherë është e vështirë të dallohen infektimet bakteriale nga ato virusale, sepse pasqyra klinike dhe konstatimet laboratorike mund të jenë të ngjashme.

Me rastin e kontrollit, shihen të ënjtura, bajame të skuqura ndonjëherë të mbështjellë me shtresë të bardhemët e të skuqura përreth. Mirëpo, vetëm kur merret mostra më së shpeshti zbulohet shkaktari i vërtetë.

Për vlerësimin se a është shkaktari bakterial apo virusal janë të nevojshme dija dhe përvoja bash për shkak të simptomave të ngjashme.

Këtë më së miri e tregon mononukleoza infektive, e njohur si “sëmundje e puthjes”, e cila është e shkaktuar nga infektimi virusal, mirëpo pasqyra klinike i ngjan angjinës tipike dhe gjëndrave të ënjtura në pjesën e qafës.

Si shërohet angjina?

Nëse mjeku është plotësisht i sigurt që angjina ka prejardhje virusale, si terapi jepen çaje dhe ilaçe kundër dhembjeve dhe temperaturës. Nëse ka prejardhje bakteriale, shërohet me antibiotikë përkatës rreth dhjetë ditë.

Është shumë me rëndësi që angjina të shërohet, sepse,nëse nuk shërohet apo shërohet pamjaftueshëm, mund të shkaktojë komplikime serioze. Pasojat mund të jenë lungat (apscesi), të cilat shfaqen pas gurmazit. Mund të shfaqen madje edhe sepsa nëse përhapet në gjithë organizmin, si edhe inflamacion i nyjave, veshkave.

Si të pengohen angjinat e shpeshta?

Nëse angjinat shfaqen më shumë se tri herë në vit, bajamet patjetër duhet të hiqen me ndërhyrje kirurgjikale. Kjo ka të bëjë posaçërisht me fëmijët, sepse tek ata simptomat janë më të shprehura.

Kur shfaqet angjina, duhet bërë izolimin nga kolektivi, të aplikohet terapia e domosdoshme intensive, ndërkaq pastaj të shqyrtohen mundësitë e operacionit. Ka të bëjë njësoj edhe me lungat e përsëritura të angjinave me qelb.

Bajamet e sëmura patjetër duhet hequr, po ashtu siç duhet patjetër të mbrohen të shëndetshmet, transmeton Telegrafi. Për t’u marrë vendimi i drejtë, është i domosdoshëm vlerësimi i mirë profesional.

Operimi i bajameve

NDONJËHERË fëmijëve u operohen bajamet e rritura, edhe pse janë plotësisht të shëndetshme, sepse pamundësojnë ushqimin normal dhe frymëmarrjen.

Çfarëdo që të jetë shkaku i këtij intervenimi kirurgjik, më së shpeshti bëhet tonzilotomia – heqja e pjesës së bajameve e cila është e kontestueshme. Hiqet një pjesë për të mundësuar përpirjen dhe frymëmarrjen, derisa pjesa e mbetur e bajameve lihet që edhe më tutje të bëjë funksionin mbrojtës.

Youtube

Arkiva

Kategoritë