Në kohët e sotme, njeriu është i rrethuar nga shumë sëmundje, disa prej të cilave të rrezikshme e serioze.
Në larminë e informacioneve që shpesh i lexojmë me një sy hapur e një mbyllur, AgroWeb.org ju sjell një informacion të saktë e të përmbledhur për Hepatitin.
Kjo sëmundje prek rreth 350 milionë njerëz në mbarë botën.
Çfarë është Hepatiti?
Hepatiti është një inflamacion i mëlçisë që shkaktohet nga një infeksion viral, por jo vetëm.
Alkoli, toksinat dhe drogat janë shkaktarë të tjerë të kësaj sëmundje e cila shpërthen atëherë kur organizmi prodhon antitrupa kundër mëlçisë.
5 Llojet e Hepatitit
Infeksionet virale të mëlçisë që kategorizohen nën sëmundjen e hepatitit përfshijnë hepatitin, A, B, C, D, dhe E.
Të gjitha prej tyre shkaktohen nga një lloj virusi specifik.
Hepatiti A është një sëmundje akute, afat-shkurtër.
Hepatiti B, C dhe D janë të vazhdueshëm dhe kronikë.
Hepatiti E është gjithashtu akut, por mund të jetë shumë i rrezikshëm për gratë shtatzëna.
Hepatiti A
Kjo sëmundje transmetohet nëpërmjet ushqimit ose ujit të ndotur nga kontakti me një person tjetër të infektuar nga hepatiti A.
Hepatiti B
Transmetohet nga kontakti me lëngjet e trupit, të organeve riprodhuese, gjaku, dhe sekrecione që përmbajnë virusin e hepatitit B (HBV).
Hepatiti C
Hepatiti C transmetohet nga kontakti i drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit të një personi të infektuar, injeksionet apo kontakti seksual.
Bëhet fjalë për një infeksion të transmetueshëm nëpërmjet gjakut.
Hepatiti D
Është një sëmundje e rëndë që merret nga kontakti i drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar.
Kjo është sëmundje e rrallë dhe shoqërohet gjithnjë me hepatitin B.
Hepatiti E
Është një sëmundje që shpërthen kryesisht në vendet ku mungon pastërtia dhe higjena dhe transmetohet nëpërmjet ujit.
Vërehet kryesisht në Lindjen e Mesme, Azi, Amerikë Qendrore dhe Afrikë.
Po Shqipëria?
Këshilla zyrtare e Qeverisë Britanike nuk lë vend për interpretim: ‘Uji i rubinetit në Shqipëri mund të shkaktojë sëmundje – ju duhet të pini vetëm ujë në shishe.’
Qendra Botërore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon vaksinimin për të huajt që udhëtojnë drejt vendit tonë.
‘Sepse mund të infektoheni me Hepatit A, përmes ujit dhe ushqimit të ndotur në Shqipëri, pavarësisht se në cilin qytet qëndroni.’
Sipas Bankës Botërore: “Uji i pijshëm dhe infrastruktura shpërndarëse në Shqipëri është tejet e vjetëruar, e dëmtuar dhe joefikase.
Rrjedhjet në rrjet janë të konsiderueshme dhe rreziku për shëndetin e popullsisë është i madh.”
Simptomat e zakonshme
Nëse jeni prekur nga sëmundja e hepatitit B dhe C, me gjasë nuk do të keni shenja në fillim të sëmundjes, deri në momentin kur dëmtohen funksionet e mëlçisë.
Simptomat e hepatitit akut shfaqen më shpejt dhe përfshijnë:
- Lodhje
- Simptoma të ngjashme me gripin
- Urinë me ngjyrë të errët
- Jashtëqitje me ngjyrë të çelët
- Mungesë oreksi
- Rënie të pashpjegueshme në peshë
- Lëkurë me ngjyrë të verdhë që tregon verdhëëzn
Hepatiti kronik zhvillohet ngadalë dhe simptomat nuk dallohen lehtë.
Si Ta Parandaloni?
Higjena është thelbësore për të shmangur hepatitin A dhe E.
Nëse do të udhëtoni drejt një vendi në zhvillim ;
- Mos pini ujë nga rubineti
- Mos hani ushqime deti të pagatuara
- Mos hani fruta dhe perime të pagatuara
Sëmundjet e hepatitit B, C, dhe D që merren nëpërmjet gjakut të infektuar shmangen duke:
- Mos shkëmbyer shiringat
- Mos shkëmbyer brisqet e rrojës
- Mos shkëmbyer furçën e dhëmbëve
- Mos prekur gjak
Hepatiti B dhe C mund të merren edhe nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur.
Komplikacionet
Njerëzit e prekur prej hepatitit kronik B ose C janë të rrezikuar ndaj:
- Sëmundjeve kronike të mëlçisë
- Cirrozës
- Kancerit të mëlçisë
Njerëzit e prekur prej hepatitit B dhe C nuk duhet të pijnë alkol që të shmangin përshpejtimin e sëmundjes së mëlçisë.