Albina Selmanaj
Depresioni është një çrregullim mendor i cili në manualet diagnostikuese psikiatrike, qëndron në kategorinë e çrregullimeve afektive. Një humor i vazhdueshëm depresiv, një frenim i dëshirës dhe të menduarit, humbja e interesit dhe një sërë simptomash fizike që variojnë nga pagjumësia tek çrregullimet e oreksit deri tek dhimbja janë shenja të mundshme të depresionit.
Më shumë se 75% e njerëzve në vendet me të zhvilluara dhe pak të zhvilluara në botë nuk marrin asnjë trajtim, kjo për shkak të mungesës së burimeve, mungesës së ofruesve të kujdesit shëndetësor të trajnuar dhe stigmës sociale të lidhur me çrregullimet mendore.
Në një intervistë për Familjajonë, psikologia Marigona Kuka tha se shumë prej të prekurve nga depresioni nuk kërkojnë këshilla mjekësore, qoftë nga mungesa e informacionit, mohimi apo edhe ndjenja e turpit gjë që ndikon që depresioni i tyre të kaloj në fazë edhe më të komplikuar.
“Shumica e pacientëve depresivë fillimisht nuk janë në gjendje të klasifikojnë simptomat e tyre dhe shpesh shohin që nuk janë të vetëdijshëm se kanë të bëjnë me një çrregullim . Probabiliteti i zhvillimit të depresionit gjatë jetës është mes 7 dhe 18%. Shumë prej të prekurve nga depresion nuk kërkojnë këshilla mjekësore, qoftë nga mungesa e informacionit, mohimi apo ndjenja e turpit. “, tha ajo.
Shpesh depresionet nuk njihen nga mjeku familjar për shkak të pamjes së tyre të larmishme shpjegoi psikologia Kuka, duke potencuar mungesën e disponimit si një ndër shenjat e para të tij.
Depresioni shfaqet më së shpeshti me shenja dhe simptoma si: (Disponim) Humor i zymtë • Humbje interesi, pamundësi për të ndjerë gëzim edhe me ngjarje të këndshme. •Lodhje, rraskapitje • Ankthi, shqetësimi i brendshëm •Aftësia e reduktuar për t’u përqëndruar dhe për të pasur koncentrim • Mungesa e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, dhe ndjenja e pavlefshmërisë • Pasiguri e fortë gjatë marrjes së vendimeve • Cikël i mendimeve negative për të ardhmen, dëshpërim, pesimizëm • Ndjenja të forta faji, qortim të vetvetes • Pagjumësi e vazhdueshme • Ulje e oreksit, •Humbje apo shtim peshe • Mungesë e libidos, pra pakësimi i interesit për seksualitetin • Dëshpërim i thellë, mendime për vdekjen, mendime vetëvrasëse, akte vetëvrasëse Depresioni gjithashtu karakterizohet nga një çrregullim metabolik në tru. “, shpjegoi Kuka
Ndërsa sa i përket simptomave të depresionit te të rinjët, Kuka potencon mendimet për vetëvrasje dhe tentativat për një akt të tillë si një nga më të zakonshmet.
“Tek të rinjtë simptomat janë tashmë të ngjashme me ato të të rriturve. Ata shpesh vuajnë nga luhatjet e humorit, humbja e dëshirës dhe interesave, problemet me përqendrimin dhe frika për të ardhmen. Ata shpesh kanë vetëbesim të ulët, tërhiqen nga marrëdhëniet shoqërore si dhe mund të shfaqin rënie të performancës në mësime. Mund të shfaqen gjithashtu ankesa psikosomatike dhe çrregullime të gjumit. Mendimet për vetëvrasje dhe tentativat për vetëvrasje janë më të zakonshme se tek fëmijët më të vegjël”, tregoi Kuka.
Rol shumë të madh në shfaqjen e depresionit shpesh kanë edhe ngjarjet personale stresuese, që sipas psikologes personat me rrezik të mundshëm reagojnë më me ndjeshmëri ndaj tyre sesa njerëzit e tjerë.
“Roli që luajnë faktorët gjenetik dhe mjedisor ndryshon nga personi në person dhe nuk është e lehtë për t’u përgjigjur në raste individuale. Një predispozitë gjenetike, çrregullime neurobiologjike dhe disa faktorë të zhvillimit dhe personalitetit (faktorët psikosocialë) përbëjnë bazën e shumicës së modeleve të shpjegimit të depresionit. Për shkak të faktorëve të ndryshëm, të prekurit kanë një tolerancë më të ulët ndaj faktorëve të stresit psikologjik, fizik dhe biologjik sesa njerëzit tjerë. Kjo cenueshmëri e veçantë (vulnerabilitet) luan një rol të madh në shfaqjen e një depresioni. Shkaktarët (faktorët reaktivë) të një episodi depresiv janë zakonisht ngjarje personale stresuese ose situata të mbingarkesës. Personat me rrezik të mundshëm reagojnë më me ndjeshmëri ndaj tyre sesa njerëzit e tjerë “, tregoi psikologia
Sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë, depresioni është një sëmundje me rreth 3.8% të popullsisë së prekur, duke përfshirë 5.0% në mesin e të rriturve dhe 5.7% në mesin e të rriturve më të vjetër se 60 vjeç.
Përafërsisht 280 milionë njerëz në botë kanë depresion.