Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Lija e Ujit: Simptomat, Diagnostikimi dhe Parandalimi

Lija e ujit është sëmundje ngjitëse e cila shkaktohet nga një lloj i virusit. Më së shumti haset tek fëmijët. Manifestohet me pika të vogla që shkaktojnë shumë kruarje në të gjithë trupin. Trupi i fëmijës suaj mund të kaplohet nga 250 deri në 500 pika të vogla përpara se virusi të përfundojë ciklin e tij. Lija e ujit zakonisht zgjat nga 5 deri në 7 ditë.

Sëmundja e lijës së ujit dikur ishte sëmundje e zakonshme e fëmijërisë, por pastaj u zbulua vaksina parandaluese kundër saj. Tashmë rastet e fëmijëve që preken nga kjo sëmundje janë shumë më të vogla.

Simptomat e Lijës së Ujit

Në fillim ju mund të mos e dini që fëmija juaj është duke vuajtur nga kjo sëmundje, pasi që virusi shkakton simptoma si të një gripi të zakonshëm, të cilat përfshijnë:

  • Temperaturë
  • Ndjenja të përgjumësisë
  • Humbje e apetitit
  • Kokëdhimbje
  • Dhimbje fyti
  • Dhimbje stomaku


Pas disa ditësh fillojnë të shfaqen pikat e kuqe, fillimisht në barkun e fëmijës, në shpinë, në fytyrë dhe pastaj në të gjithë trupin. Ndonjëherë këto pika përhapen edhe në fyt, sy dhe organe gjenitale. Këto pika nisen si gunga të vogla të kuqe, pastaj shndërrohen në flluska dhe në fund përfundojnë në formë korore. Edhe pse shkaktojnë kruarje të padurueshme, duhet të rezistohet pasiqë kruarja i eksplodon flluskat të cilat mund të shkaktojnë infeksione dhe për më tepër mund të mbesin shenja.

Lija e ujit nuk është e rrezikshme, zakonisht zgjat nga 5 deri në 7 dite.

Çfarë e shkakton Lijën e Ujit?

Sëmundja e lijës shkaktohet nga një virus i quajtur varicella-zoster. Ky virus bartet me anë të kontaktit me një person të infektuar, mund të shpërndahet me anë të prekjes apo frymëmarrjes.

Një person mund t’i infektoj të tjerët deri në dy ditë para se t’i shfaqen pikat e kuqe. Përhapja e virusit mund të ndodhë edhe kur pikat fillojnë fazën e shërimit dhe krijojnë kore.

Virusi varicella-zoster gjithashtu e shkakton edhe sëmundjen herpes (e cila në gjuhën e popullit njihet edhe si Zjarri i Natës). Kjo është sëmundje e lëkurës e cila shkakton shumë dhimbje dhe nuk largohet për një kohë të gjatë. Nëse nuk e keni kaluar sëmundjen e lijës asnjëherë dhe nuk jeni vaksinuar kundër saj, një person që vuan nga herpesi mund t’ua bartë sëmundjen e lijës.


Si diagnostikohet Lija e Ujit?

Zakonisht mjekët mund ta dallojnë sëmundjen e lijës vetëm duke e ekzaminuar me sy. Megjithatë ata do t’iu kontrollojnë edhe për simptoma të tjera, me anë të analizave të gjakut apo një mostër nga lëngu i pikave të lijës.

Ju duhet ta kontaktoni mjekun tuaj urgjentisht nëse fëmija juaj:

  • Ka vështirësi në frymëmarrje
  • Ka temperaturë më të lartë se 39 gradë celsius që zgjatë më shumë se 4 ditë
  • Pikat e kuqe duken të enjtura
  • Ka kokëdhimbje
  • I flihet më shumë se zakonisht dhe zgjohet me vështirësi
  • I pengojnë dritat
  • Ka vështirësi në të ecur
  • Është i hutuar
  • Ka përzierje dhe të vjella
  • Ka flluska me lëng me ngjyrë të verdhë

Youtube

Arkiva

Kategoritë