Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka shprehur shqetësimin lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë.
Në raportin e publikuar këtë javë thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.
“AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari. AGK-ja gjithashtu fton pronarët e medieve që të lejojnë që gazetarët të raportojnë pa u cenzuruar e frikësuar se do të humbasin vendin e punës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Raporti evidenton se problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medieve, si dhe pati vështirësi në marrjen e informatave nga Qeveria dhe insitutcionet publike.
“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.
Sipas raportit, mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.
Departamenti Amerikan i Shtetit citon raportet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj Visar Duriqit, intervistimin nga Prokuroria të Parim Ollurit për raportimin për vaksinat, si dhe kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj portalit “Albanian Post”, si tri prej incidenteve më të rënda në vitin 2021.