Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka reaguar të shtunën ndaj deklaratës së një dite më parë zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili kishte vlerësuar normale ikjen e mjekëve, pasi siç kishte thënë mjekët ikin edhe nga Gjermania.
Këtë deklaratë Bislimi i kishte dhënë gjatë një raportimi në Komisionin për Integrimeve Evropiane.
E lidhur me këtë ka reaguar sot Oda e Mjekëve të Kosovës.
OMK-ja deklaron se të thuhet që mjekët kosovarë po ikin në Gjermani pasi ata të Gjermanisë po ikin nga vendi i tyre, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute në të cilën funksionojnë mjekët e Kosovës.
“Oda e Mjekëve të Kosovës shpreh zhgënjimin ndaj deklaratave të zv. kryeministrit, Besnik Bislimi i cili në takim me komisionin përgjegjës parlamentar ka bërë krahasimin e mjekëve kosovarë më mjekë gjermanë.
Një krahasim i tillë, po të ishte real për nga arsyet, do të ishte vlerësues para së gjithash për sistemin shëndetësor të Kosovës.
Mirëpo, në kushtet që punojnë mjekët kosovarë, pasigurinë sociale të cilën e ballafaqojnë çdo ditë, vështirësitë nga më të ndryshmet, përfshirë këtu edhe rrezikshmëria në vendin e punës, të thuhet se mjekët kosovarë migrojnë në Gjermani për shkak se mjekët gjermanë braktisin Gjermaninë, është mohim i gjendjes së rëndë kronike dhe akute njëkohësisht”, thuhet në reagim.
Në reagimin e OMK-së thuhet se Gjermania nuk ballafaqohet me deficitin kuadrovik vetëm në raport me profesionin e mjekut por edhe në sektorë të tjerë për shkak të faktorëve të ndryshëm social.