Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike po shqyrton raportin e auditimit të performancës “Optimizmi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19”.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami theksoi se institucionet nuk kanë arritur të sigurojnë barna gjatë pandemisë as nga lista esenciale.
“Kemi vërejtur që gjatë kohës së pandemisë, institucionet janë përballur me mungesë të barnave. Këto barna në shumë raste është dashur që t’i blejnë vet pacientët. Pacientët është dashur të blejnë barna të listës esenciale. Pacientëve u është dashur të blejnë fraksifarina e infuzione. Nuk dihet se sa ka qenë vlera e pacientëve që kanë qenë të shtrirë”, tha ajo.
E anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti në prezantimin e raportit tha se kjo tregon punën menaxheriale, e jo punën e profesionistëve shëndetësorë.
“Njësitet e QKUK-së janë përballur me mungesë të personelit shëndetësorë. Në shumicën e spitaleve nuk ka pasur procedura të shkruara për bartjen e pacientëve, ku shpesh herë janë bartur nga familjarët. Të gjetura të tjera janë se ka pasur pritje në Spitalin e Pejës për funksionalizim e oksigjenit të lëngshëm”, ka treguar ajo.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi theksoi se në kohën e fillimit të pandemisë ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as atje nuk kanë qenë të përgatitur për menaxhimin e kësaj situate.
“Edhe kirurgët edhe psikiatrit ishin bërë mjek të Covid-it. Duke u bazuar nga fakti se ka qenë një periudhë sfiduese, sistemi shëndetësor ka qenë që ka bërë gjithë këto sfida. Sot kemi numrin me të madh të vaksinuarve, 70 për qind të paktën me një dozë”, ka thënë ai.
Megjithatë, kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami ka kritikuar menaxhimin e situatës, duke thënë se qytetarët kanë shpenzuar 4.7 paga mesatare për të mbuluar trajtimin nga virusi.
Për këtë ka reaguar edhe anëtarja e pozitës, Mirlinda Sadiku, e cila tha se ky sistem shëndetësor është i trashëguar, raporton kp.
“A është faji i ministrit që SISh nuk është funksional? Ju po harroni e nderuara kryetare që në kohë të pandemisë e keni rrëzuar qeverinë”, ka deklaruar ajo.
Në raport janë prezantuar edhe gjetjet për blerjen e remdesivirit nga pacientët. Për këtë nuk është pajtuar drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ku tha se me këtë “ia keni huqur”. Sipas tij, asnjë pacienti nuk i është përshkruar përdorimi i këtij medikamenti për 14 ditë.
Javën që lamë pas u publikuar raporti i KDI-së i titulluar “Pse qytetarët u detyruan ta blejnë vetë Remdesivirin? Si dështoi Ministria e Shëndetësisë për të siguruar Remdesivirin për pacientët e prekur me COVID-19?”. Në këtë publikim u tha se vetëm në Klinikën Infektive, për gjashtë muaj janë shpenzuar mbi 260 mijë euro për blerjen e remdesivirit. Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nëse 135 pacientë kanë blerë 11 injeksione me vlerën mesatare prej 180 euro, kanë shpenzuar këtë shumë, ndërsa për një vit rreth 800 mijë euro.
Nga përfaqësues të KDI-së teksa folën për shpenzimet e qytetarëve për blerjen e remdesivirit, ani pse Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte rekomanduar që të mos përshkruhej si medikament për trajtimin e COVID-19./KP