Valës së shtrenjtimeve, përveç energjisë elektrike dhe produkteve tjera, iu shtua edhe ngritja e tarifave të ujit nga Autoriteti Rregullativ i Ujit (ARrU).
Zëvendësdrejtori i ARrU-së, Abedin Azizi gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi lidhur me planin e performancës për vitin 2022, të këtij autoriteti bëri të ditur se Kompania Rajone e Ujësjellësit në Prishtinë, ka shtrenjtuar tarifat rreth 3 centë. Po kështu ka ndodhur edhe në komunat tjera, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
“Sa i përket çështjes së tarifave, për tarifat, në katër kompani regjionale, nuk janë ngritur ose është ngritur 1 cent për një metër kub uji, që do të thotë se një familje që konsumon 20 metra kub uji, ndryshimi i tarifës është 20 centë. Kemi dallim pak më të madh ose rritje pak më të madhe të tarifave në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Prishtinë. Kjo për arsye të futjes në operim të impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Në Prishtinë e kemi ngritur tarifën për 2-3 centë për shkak të shpenzimeve për blerje të ujit me shumicë”, theksoi Azizi.
Deputeti Pal Lekaj tha se shtrenjtimi i ujit, rrymës dhe së fundi të shumë produkteve të tjera ushqimore, do ta vështirësojnë jetën e qytetarëve në Kosovë.
“Ngritja e çmimeve prej 1 janari, sa është ajo ngritje, sepse për mua nëse vazhdojmë edhe ujin, rrymën dhe të gjithë artikujt bazë ushqimorë, është një vështirësi e madhe që t’ia dal qytetari. Sa për qind ka qenë rritja prej 1 janarit të këtij viti”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme, Komisioni për Ekonomi ka shqyrtuar kërkesën e kompanisë publike të KOSTT të datës 14.02.2022 për interpretimin ligjor të rezolutës së Kuvendit për pagesën e rrymës në veri. Megjithatë, ky Komision nuk ka dhënë interpretime ligjore se si të veprojë, përveç se ka proceduar opinionin e Zyrës Ligjore të Kuvendi të Kosovës.
Sipas këtij interpretimi, KOSTT-it i mbetet që ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e rezolutës për pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri.
Nënkryetarja e Komisionit, Jeta Statovci tha se Komisioni nuk jep opinion ligjor lidhur me këtë çështje.
Ajo tha se KOSTT-it i procedohet vetëm interpretimi i Zyrës Ligjore të Kuvendit. Ajo nuk bëri të qartë se cili është opinioni i kësaj zyre lidhur me pagesën e rrymës në veri.
“Karshi interpretimit ligjor, ne si komision nuk japim interpretime ose opinione ligjore, mendoj se këtë përgjigje që ne kemi marrë nga zyra ligjore, e cila e qartëson procesin ose mund të themi i drejton edhe te aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese si dhe vendimi i marrë paraprakisht, që të jetë ky material për shqyrtim nga ana e KOSTT-it, kështu që shkresën zyrës e përcjellim edhe me referenca që ata i inkorporojnë në përgjigjen e tyre”, theksoi Statovci.
KosovaPress ka siguruar opinionin e Zyrës Ligjore të kuvendit, ku interpreton zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e KOSTT./kp/