Është përuruar sot pllaka përkujtimore në shtëpinë e Ibrahim Gashit, si shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë në mbajtjen gjallë të mësimit në Kosovë.
Në shtëpinë e familjes Gashi, gjatë viteve 1991-1998 u zhvillua procesi mësimor për nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, tha për Ibrahim Gashin se ka dhënë shumë për Kosovën.
“Ibrahim Gashi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë si rrallë kush, për mos me thënë si pak kush tjetër, andaj ne jemi përjetë mirënjohës e falënderues”, tha ai.
Ndërkaq Nagavci, shprehu mirënjohje për gjithë ata që kanë prishur rehatinë e tyre për ta mbajtur arsimin gjallë.
Kjo shtëpi, si shumë të tjera në Kosovë, u shndërruan në shtëpi-shkolla pas masave të dhunshme për mbylljen e institucioneve të arsimit në gjuhën shqipe në vitet e 90-ta. /kp/