Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Vrasja e familjes shqiptare në Greqi, hetuesit ngrenë dyshimet e para për vrasësin

Krimi i rëndë mbrëmjen e së mërkurës në qytetin Andravida të Greqisë ka tronditur mbarë opinionin publik, ku një familje shqiptare me 4 anëtarë u masakrua për vdekje.

Hetuesit grekë, të cilët gjithë natën qëndruan në vendngjarje për të mbledhur prova, duket se kanë ngritur edhe dyshimet e para.

Mendohet që burri, gruaja dhe dy fëmijët e mitur 2 dhe 3 vjeç të jenë vrarë nga një person tjetër. Në momentet e para të ngjarjes u mendua se burri kishte vrarë gruan dhe fëmijët e më pas kishte vrarë edhe veten, sipas raportimit të Klan TV.

Sipas hetuesve, dyshohet që të katërt të jenë vrarë nga një person tjetër, i cili dyshohet se është përpjekur të zhdukë edhe trupat e tyre. Por nga frika se mos e zbulonte djali tjetër i familjes, ai u largua. Ka qenë pikërisht 12-vjeçari, fëmija i tretë, që kur shkoi në shtëpi pa masakrën që kishte ndodhur.

Sipas provave në vendngjarje, policia nuk ka gjetur ende armën e krimit. Plagët në trupat e Armando dhe Maria Klocit, burrit dhe të gruas, janë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Në brendësi të shtëpisë ka kudo njolla gjaku. Trupat e 32-vjeçarit dhe 37-vjeçares janë gjetur të hedhura në një rimorkio në depon e shtëpisë. Ndërsa trupi i fëmijës 3 vjeç u gjet në magazinën pranë rimorkios. Kurse trupi i fëmijës tjetër 2 vjeç u gjet në brendësi të shtëpisë.

Sikurse raportojnë mediat greke bazuar në burimet policore, dyshohet se autori ka pasur për qëllim që të zhdukte trupat e viktimave. Por diçka ka ndodhur ose mund të jetë trembur nga ardhja e djalit tjetër 12-vjeçar dhe është larguar.

Policia ka ngritur dyshime se autori i vrasjes mund të jetë ish-bashkëshorti i gruas 37-vjeçare, i cili jeton në Loutraki. Në fakt ai është babai i 12-vjeçarit që gjeti familjen të masakruar, të cilin e ka nga martesa me ish-bashkëshorten, 37-vjeçaren Maria që u gjet e vrarë. Policia greke e ka shpallur atë në kërkim për ta pyetur lidhur me rastin.

Por hetuesit kanë edhe një pistë tjetër. Autori mund të jetë edhe një person tjetër me të cilin ndoshta çifti i bashkëshortëve ka pasur mosmarrëveshje.

Të gjitha këto pista deri më tani mbeten në kuadrin e dyshimeve dhe hetimet pritet të zbardhin ngjarjen e rëndë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë