Perimet mund të jenë të mira për ju, por ngrënia e shumë prej tyre nuk ka gjasa ta zvogëlojë rrezikun e një sulmi në zemër ose goditje në tru, sugjeron një studim i madh në Mbretërinë e Bashkuar.
Çfarë tjetër hamë, sa ushtrime bëjmë dhe ku dhe si jetojmë mund të ketë më shumë ndikim, thonë studiuesit.
Por ata theksojnë se një dietë e ekuilibruar ndihmon në uljen e rrezikut të shumë sëmundjeve, përfshirë disa lloje kanceri.
Ngrënia e të paktën pesë porcioneve me fruta dhe perime çdo ditë rekomandohet nga këshilltarët shëndetësorë, përfshirë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, NHS.
Studimi, nga universitetet e Oksfordit dhe Bristolit dhe Universiteti Kinez i Hong Kongut, u kërkoi afro 400,000 respondentëve që po marrin pjesë në studimin e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar të plotësonin një pyetësor rreth dietës së tyre, duke përfshirë sasinë e perimeve të gatuara dhe të papërpunuara që hanin çdo dite.
Mesatarisht, njerëzit thanë se hanin dy lugë gjelle të mbushura me perime të papërpunuara, tri perime të gatuara dhe pesë gjithsej në ditë.
Shëndeti i tyre dhe çdo problem i zemrës që çoi në trajtim spitalor ose vdekje, u gjurmua më pas gjatë 12 viteve të ardhshme.
E pasur me fibra
Megjithëse rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare ishte rreth 15% më i ulët për ata që hanin më shumë perime – veçanërisht ata që hanin shumë perime të papërpunuara – krahasuar me ata që hanin më pak, studiuesit thanë se e gjithë kjo mund të shpjegohet nga faktorë të tjerë.
Këto përfshinin stilin e jetës së njerëzve – për shembull, nëse pinin duhan dhe sa alkool pinin – si dhe punët e tyre, të ardhurat dhe dietën e përgjithshme.
Si rezultat, ata thanë se studimi i tyre nuk gjeti prova të “një efekti mbrojtës të marrjes së perimeve” në atë se sa shpesh shfaqeshin problemet e zemrës dhe qarkullimit të gjakut.
Dr Ben Lacey, nga Universiteti i Oksfordit, tha: “Ky është një studim i rëndësishëm me implikime për të kuptuar shkaqet dietike të sëmundjeve kardiovaskulare (CVD).
Por Prof Naveed Sattar, profesor i mjekësisë metabolike në Universitetin e Glasgow, tha se kishte “dëshmi të mira” se ngrënia e ushqimeve të pasura me fibra si perimet, “mund të ndihmojë në uljen e peshës dhe përmirësimin e niveleve të faktorëve të rrezikut të njohur që shkaktojnë sëmundje të zemrës”.
Ai tha se rezultatet e studimit mund të debatohen dhe nuk duhet të ndryshojnë këshillat e përhapura për të ngrënë të paktën pesë porcione fruta dhe perime në ditë.
“Shumë prej atyre që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar nuk e arrijnë këtë, fatkeqësisht, dhe duhet bërë më shumë për të inkurajuar marrjen më të mirë të perimeve”, tha ai.
“Në fakt, unë dyshoj se mund ta kemi nënvlerësuar rëndësinë e një diete të shëndetshme për shëndetin dhe sëmundjet në përgjithësi”, shtoi ai.
Ekspertë të tjerë thanë se matja e sasisë dhe llojeve të ushqimeve që hanë njerëzit gjatë shumë viteve për ta studiuar efektin në rrezikun e sëmundjes ishte e prirur për gabime.
“Fatkeqësisht duhet të hidhen dyshime mbi besueshmërinë e gjetjeve nga përdorimi i pyetjeve të thjeshta që presin që përdoruesit të shprehin një vlerë mesatare të marrjes”, tha Prof Janet Cade, nga Universiteti i Leeds.
Studimi, i publikuar në Frontiers in Nutrition, thotë se njerëzit që hanë shumë perime të papërpunuara mund të kenë një rrezik të reduktuar të zemrës, sepse gatimi i perimeve heq lëndë ushqyese të rëndësishme, të tilla si vitamina C.
Vajrat dhe yndyrat e përdorura në gatim mund ta rrisin gjithashtu marrjen e natriumit dhe yndyrave, të cilat janë faktorë të njohur rreziku për problemet e zemrës.
Njerëzit që hanë një dietë të pasur me perime mund të hanë më pak kalori dhe më pak yndyrë, ndërsa gjithashtu konsumojnë më shumë vitamina dhe antioksidantë, të cilët mund ta parandalojnë dëmtimin e qelizave./BBC