Klinika e Pediatrisë në QKUK ka bërë një sqarim lidhur me vdekjen e 9 vjeçares, që ka ndodhur ditën e mërkurë.
Në sqarim thuhet se 9 vjeçarja kishte rezultuar pozitiv me coronavirus, dhe se po ashtu kishte sëmundje të rëndë akute.
“Klinika e Pediatrisë sqaron se fëmiu fillimisht ishte pranuar në Repartin Covid-19, për shkak se ka rezultuar pozitiv për COVID. Pas ekzaminimeve shtesë vërtetohet se fëmiu ka sëmundje të rëndë akute dhe për këtë njoftohen prindërit. Më pëlqimin, aprovimin dhe nënshkrimin e prindërve, fëmiu fillon terapinë dhe trajtimin e nevojshëm. Klinika e Pediatrisë sqaron se nuk ka pasur neglizhencë në trajtimin e fëmiut. Për çdo veprim, analizë, procedurë diagnostike dhe fillimin e terapisë për sëmundjen e rëndë akute janë njoftuar prindërit, është marrë pëlqimi dhe nënshkrimi i tyre”, thuhet në sqarim.
Klinika e Pediatrisë bën të ditur se tashmë janë në pritje të rezultatit nga Mjekësisë Ligjore.
“Klinika e Pediatrisë, do të ofrojë gjithë bashkëpunimin e nevojshëm për hulumtimin e rastit nga organet kompetente”.
Ndryshe, Policia e Kosovës në koordinim me prokurorinë ka nisur hetimet për vdekjen e dyshimtë të një vajzë 9-vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas Borovcit informatën e kanë pranuar rreth orës 19:00.
“Prishtinë, 16 shkurt 2022 – Rreth orës 19:00, është pranuar informata për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në një nga klinikat e QKUK –së në Prishtinë. Pas marrjes së kësaj informate, policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar se; viktima, 9 vjeç, femër, shtetase Kosovare, në rrethana që aktualisht po trajtohen nga ana e policisë ka humbur jetën”, u shpreh ai.