Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Dukatës së Luksemburgut, znj, Natacha Gomes, me të cilën biseduan për ndërtimin e një Qendre së Traumës dhe krijimit të Qendrës Simulative dhe të Teknologjisë (në fushën e kujdesit shëndetësor).
“Në këtë takim, Ministri Latifi shprehu falënderimin e tij të veçantë për ndihmën e dhënë nga Dukata e Luksemburgut për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë deri më tani, si dhe njoftoi Ambasadoren Gomes për gjendjen e tanishme, planet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, ku theks të veçantë iu dha ndërtimit të Qendrës së Traumës dhe krijimit të Qendrës Simulative dhe të Teknologjisë (në fushën e kujdesit shëndetësor)“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas MSh-së pjesë e diskutimit ishte edhe mbajtja e takimit të përbashkët me të gjithë donatorët ekzistues dhe ata potencialë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, ku do të shpalosen planet afatgjate të Ministrisë së Shëndetësisë për transformimin e sektorit shëndetësor në vendin tonë.
Më tutje në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës epidemiologjike në vend dhe përmirësimit të saj, por u theksua nevoja që vaksinimi të vazhdojë si e vetmja rrugë për t’u mbrojtur kundër Covid-19.
Ambasadorja e Luxemburgut, znj, Natacha Gomes, e njoftoj Ministrin Latifi për ndihmën që shteti i saj ka dhënë për sektorin e shëndetësisë e Kosovës, projektet për të ardhmen dhe po ashtu të dy u dakorduan për një vizitë të Ministrit të Shëndetësisë së Luxemburgut në Kosovë.